Bordi i Akreditimit (BA) është një organ kolegjial vendimmarrës dhe i pavarur në veprimtarinë e tij, i cili funksionon pranë ASCAL. Veprimtaria dhe funksionimi i BA-së janë të përcaktuara në ligjin për arsimin e lartë nr. 80/2015, ligjit nr. 8480, datë 27.05.1999, për funksionimin e organeve kolegjiale, në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 109, datë 15.02.2017 si dhe rregulloren e funksionimit të tij.
BA është i përbërë nga 11 anëtarë nga të cilët minimalisht 3 dhe maksimalisht 5 duhet të jenë të huaj. Të gjithë anëtarët janë personalitete të botës akademike me një eksperiencë të gjatë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Anëtarët dhe kryetari i Bordit emërohen dhe shkarkohen nga kryeministri me propozimin e ministrit përgjegjës për arsimin. Mandati i anëtarëve të BA është 4 vjet. Bordi i Akredimit u emërua me urdhër të Kryeministrit nr. 191, datë 16.10.2025.
BA është vazhdues i punës së Këshillit të Akreditimit i krijuar në bazë të ligjit të arsimit të lartë nr. 9741, datë 21.05.2007. Ligji i ri për arsimin e lartë dhe kërkimit shkencor, nr. 80/2015, i jep fuqinë BA-së për të marrë vendimin përfundimtar mbi akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve që ato ofrojnë.