Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), përfaqësuar nga drejtuesja e kësaj Agjencie, Znj. Xhiliola Bixheku dhe Agjencia Kombëtare Italiane e Vlerësimit të Sistemit Universitar dhe Kërkimit (ANVUR), përfaqësuar nga presidenti i Agjencisë, Z. Antonio Felice Uricchio, nënshkruan ditën e sotme, datë 10.11.2022, në Itali, një Memorandum Bashkëpunimi. Ky memorandum shënon një hap shumë të rëndësishëm për ASCAL, pasi në qendër të saj është bashkëpunimi ndërinstitucional mes dy vendeve në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë dhe do të kontribuojë jo vetëm në rritjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në arsimin e lartë, por edhe në avancimin e studimeve akademike në të dyja vendet dhe plotësimin e kritereve dhe rekomandimeve të Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Në Memorandumin e nënshkruar sot, gjithashtu thuhet se “ASCAL dhe ANVUR angazhohen të bashkëpunojnë në shkëmbimin e përvojave të mira ndërmjet dy shteteve në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë; shkëmbimin e informacionit rreth cilësisë, rezultateve dhe akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programet që ato ofrojnë; nxitjen e shkëmbimeve të personelit akademik dhe studentëve që angazhohen në proceset e akreditimit në të dy shtetet (si anëtarë të grupit të vlerësimit të jashtëm); aplikimin e përbashkët në projekte rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë; shkëmbimin e njohurive rreth rregulloreve, udhëzimeve, manualeve apo çdo akti tjetër ligjor që rregullon fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë; vizitat e ndërsjellta të stafeve respektive për shkëmbimin e eksperiencave midis tyre”.
Gjatë takimit, u diskutua gjithashtu mbi ngritjen e grupeve të përbashkëta të vlerësuesve të jashtëm, në kuadër të akreditimit të programeve të përbashkëta të studimit të ofruara nga Institucione të Arsimit të Lartë të të dy vendeve.