Drejtoresha e ASCAL Dr. Xhiliola Bixheku dhe Përgjegjësja e Sektorit të Statistikave dhe Analizave Znj. Ersi Dako morën pjesë në Forumin e Anëtarëve të ENQA-së 2023, i cili u mbajt në Tbilisi, Gjeorgji në datat 19-21 Prill 2023.
Në ditën e parë të këtij takimi, e cila u hap me fjalën e Ministrit të Arsimit të Gjeorgjisë, u diskutua mbi perspektivat e tanishme dhe të ardhshme për sigurimin e cilësisë, ESG-të, zhvillimet dhe mundësitë në lidhje me transformimin digjital, lidhjen midis sigurimit të cilësisë dhe kërkimit shkencor, etj. Gjithashtu, u prezantua një përmbledhje mbi pozicionin dhe kontributin e ENQA-s në çështjet kyçe që diskutohen në Procesin e Bolonjës, në kuadër të Konferencës Ministrore që do të zhvillohet në Tiranë në pranverën e vitit 2024, me përfaqësues të komunitetit europian të arsimit të lartë. Në pjesën e dytë të ditës u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e ENQA-s, ku u diskutua dhe votua për çështje të ndryshme të lidhura me aktivitetin e saj.
Në ditën e dytë të takimit u prezantuan postera nga disa prej përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe atyre të asociuara lidhur me programet e përbashkëta të studimit, kërkimin shkencor, përfshirjen e palëve të interesuara, sigurimin e cilësisë në situata emergjente, etj., si dhe u diskutua mbi zhvillimet e shpejta të inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në arsimin e lartë.