Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

ASCAL merr pjesë në Forumin Shkencor me temë “Sfida dhe perspektiva për një fakultet gjithëpërfshirës”

Nën kujdesin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, në bibliotekën “Rozafa” të këtij fakulteti, në datën 29 Shkurt 2024, u organizua Forumi Shkencor me temë “Sfida dhe perspektiva për një fakultet gjithëpërfshirës”. Ky takim synon fuqizimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe aktorëve të ndryshëm në fushën e arsimit të lartë, pedagogë, studiues, përfaqësues të institucioneve politikëbërëse, përfaqësues të organizatave joqeveritare, punonjës socialë, trajnerë dhe profesionistë të tjerë me qëllim rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe shërbimeve të ofruara për të gjithë studentët, duke vënë theksin në promovimin e arsimit gjithëpërfshirës si një e drejtë e gjithësecilit.

Në këtë takim morën pjesë, Drejtoresha e Përgjithshme e ASCAL, Dr. Xhiliola Bixheku, Zv. Rektorja e Universitetit të Tiranës, Prof. Anila Paparisto, Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Esmeralda Kromidha, përfaqësues të disa universiteteve dhe fakulteteve, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare Shqiptare të njerëzve që nuk dëgjojnë (ANAD), Agjencia Universitare e Frankofonisë në Evropën Qendrore dhe Lindore (AUF), përfaqësues të Bologna Follow-up Group (BFUG) dhe përfaqësues të Këshillit Studentor.

Nga panelistët u identifikuan problematikat e larmishme që janë të pranishme në auditoret e universiteteve tona lidhur me qasjen ndaj dimensionit social, u adresuan këto problematika me fokus problem-zgjidhjen e tyre, u propozuan masa konkrete dhe njëkohësisht u identifikuan hapat që duhet të ndiqen për të hartuar një kurrikul që synon gjithëpërfshirjen e studentëve në aspektin social.

2

3

4