Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, ASCAL, përfaqësuar nga Znj. Aleksandra Xhamo dhe Zj. Denisa Bogdani, mori pjesë në Forumin Europian të Sigurimit të Cilësisë 2022 (EQAF), organizuar në datat 17 deri më 19 Nëntor nga West University of Timisoara, Rumani.
Forumi, me temë “Shaping or sharing? QA in a value-driven EHEA”, mblodhi rektorë dhe zëvendësrektorë përgjegjës për sigurimin e cilësisë, zyrtarë të sigurimit të cilësisë në institucionet e arsimit të lartë, studentë, staf të agjencive të sigurimit të cilësisë dhe studiues që punojnë në arsimin e lartë ose në fushën e sigurimit të cilësisë, dhe përfshiu sesione të kombinuara në lidhje me politikat dhe tendencat evropiane, kërkimin dhe shembuj praktik të rasteve në lidhje me temën e Forumit dhe në përgjithësi rreth zhvillimeve aktuale në sigurimin e cilësisë.
Në EQAF 2022, u zhvilluan diskutime mbi rolin e Sigurimit të Cilësisë në formësimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të përbashkëta; si promovohet dhe mbështetet barazia, përfshirja dhe pjesëmarrja e studentëve në qeverisjen dhe sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë; si të ndërtohet besimi i publikut në institucionet e arsimit të lartë si institucione shkencore autonome që promovojnë lirinë akademike, integritetin dhe dëshmitë e besueshme; si të sigurohet bashkëpunimi ndërkombëtar i drejtuar nga vlera në arsimin e lartë, etj.