Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit që ASCAL ka nënshkruar me Agjencinë Kombëtare Italiane të Vlerësimit të Sistemit Universitar dhe Kërkimit (ANVUR), u realizua në Romë një takim midis Drejtoreshës së ASCAL, Znj. Xhiliola Bixheku dhe Presidentit të ANVUR Z. Antonio Felice Uricchio.
Në këtë takim u diskutua mbi situatën aktuale të secilës agjenci, proceset e akreditimit dhe mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy agjencive për procese akreditimi të përbashkëta.
Duke qenë se një nga objektivat kryesore të arsimit të lartë në vend është ndërkombëtarizimi, pra ofrimi i programeve të përbashkëta të studimit ndërmjet dy vendeve, drejtuesit e dy agjencive diskutuan se ndoshta ka ardhur momenti që edhe akreditimi të realizohet prej të dy agjencive në të njëtën kohë. Gjithashtu, në këtë takim, u diskutua edhe mundësia e angazhimit të ekspertëve të ANVUR në proceset e akreditimit që realizohen nga ASCAL për programe studimi të cilat ofrohen në bashkëpunim me universitete italiane, si dhe ndihma që ANVUR do ti japë ASCAL në procesin e anëtarësimit të saj si anëtare me të drejta të plota në ENQA.