Në studion e A2 CNN, Z. Elvin Gjevori, drejtor i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë flet për iniciativën e Sondazhit Kombëtar të Studentëve, i cili plotësohet online nga studentët e Shqipërisë. Sondazhi ka nisur nga data 16 Prill 2019 dhe do të vazhdojë deri më 5 Maj 2019.
Drejtori i ASCAL foli mbi qëllimet kryesore të këtij Sondazhi.
"Qëllimi kryesor është që të kemi një panoramë të strukturuar dhe të plotë të kënaqshmerisë që kanë studentët me cilesinë e shërbimit akademik që ato marrin. Në bazë të mendimit të studentëve në mënyrë të strukturuar do të ndërtohen politikat e arsimit të lartë që kanë të inkorporuar mendimin dhe perceptimin e studentëve.
Në Shqipëri ka 41 IAL aktive, të cilat na kanë dorezuar email-et e studentëve. Këtyre studentëve iu kemi dërguar një email me subjektin 'Sondazhi Kombëtar i Studentëve' më datë 16 Prill me linkun unik nga i cili mund të plotësojnë sondazhin.
Pas përfundimit të Sondazhit ne do të nxjerrim në fillim disa të dhëna paraprake dhe nga fundi i verës do të nxirret një raport i plotë përfundimtar dhe individual për çdo institucion të arsimit të lartë. Këto raporte do t'i vihen në dispozicion Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë si institucioni kryesor i politikë-bërjes për arsimin e lartë, do t'i dërgohet secilit IAL-je për të ditur mendimin e studentëve të tyre për shërbimin akademik qe ata i ofrojnë dhe do të bëhet publik në faqen tonë në ASCAL. Ky sondazh do t'ju japë mundësi të gjithë maturantëve që të dinë mendimin e studentëve aktual për degën që ata mendojnë të vazhdojnë studimet." u shpreh Z. Gjevori.
Në 5 Maj 2019 mbyllet përfundimisht Sondazhi Kombëtar i Studentëve.
Burimi A2 CNN