Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

Drejtori i ASCAL jep intervistë për ABC News mbi Sondazhin Kombëtar të Studentëve

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë po zhvillon Sondazhin Kombëtar të Studentëve. Drejtori i ASCAL, Z.Elvin Gjevori, ishte i ftuar në studion e ABC News, ku tha se është shtyrë mbyllja e sondazhit, duke i dhënë mundësinë studentëve që të bëhen të gjithë pjesëmarrës në të.

Sipas tij, qëllimi kryesor i sondazhit është që në të ardhmen të ndryshohen politikat e arsimit të lartë duke parë problematikat që shprehin vetë studentët.

“Ne kishim planifikuar që të mbyllej me 2 Maj, por duke pasur parasysh fluksin e rritjes së përgjigjeve ditët e fundit, por edhe pushimet, e kemi shtyrë me 5 Maj 2019. Ky sondazh nuk është bërë kurrë më parë, është një risi për ne, për studentët. Rëndësia është që të inkorporohen në politikat e Arsimit të Lartë problematikat e tyre. Të dhënat do t’i jepen Institucioneve të Arsimit të Lartë. Për studentët e ardhshëm, që mendojnë ku të shkojnë mund t’i referohen vlerësimit të studentëve për degën që do zgjedhin. Ky informacion do jetë i aksesueshëm për publikun. Në tërësi këto elementë përmbushen nga sondazhi kombëtar i studentëve”, tha Gjevori.

Zoti Gjevori shpjegoi se studentëve u ruhet anonimati.

“Me email i çojmë linkun ku mund të aksesojnë sondazhin. Përgjigjet na vijnë nëpërmjet platformës. Mënyra që është bërë kështu është që vetëm studentët ta bënin. Nëpërmjet kësaj platforme ne sigurohemi që vetëm studentët marrin pjesë dhe anonimati është i siguruar. Ne na intereson përgjigja e tyre, jo se kush është studenti”, tha ai.

Në 5 Maj mbyllet sondazhi kombëtar i studentëve. Në fund të Majit do nxirren disa të dhëna paraprake dhe deri në fund të verës do të nxirret një raport të madh dhe një raport për çdo Institucion të Arsimit të Lartë.
Gjithashtu është menduar që sondazhi të bëhet çdo 2-3 vjet që të matet impulsi i studentëve.

Burimi ABC News

Media