Ditën e sotme, në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi, nisi punën Bordi i Akreditimit (BA) të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL). BA është një skuadër e re me ekspertë të nivelit më të lartë ndërkombëtar. Anëtarët e Bordit janë profesorë shqiptarë dhe të huaj që punojnë universitetet më të mira në Europë dhe Amerikë. Në këtë takim ishin gjithashtu të pranishëm anëtarët e Bordit të mëparshëm dhe drejtori i ASCAL.
Në fjalën e tij Kryeministri falenderoi Bordin në largim për punën e kryer dhe arritjet e tyre në këto 4 vite. Ai theksoi se nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të BA dhe kjo praktikë do të ndiqet edhe në vazhdim. Ai shtoi se: "Bordi i Akreditimit është i pavarur dhe duhet të jetë i tillë. Nga ana tjetër, jemi këtu për të shfrytëzuar maksimalisht dijet dhe eksperiencat tuaja qoftë për të përfituar nga vendimet e drejta që do të merrni, qoftë për të mësuar përtej procedurës së brendshme burokratike të vendimeve, nga eksperienca juaj".
Më tej ai vazhdoi duke thënë se nga Bordi presim integritet maksimal në vendimmarrje, pavarësisht se kush cenohet në interesat e veta në sistemin tonë akademik, sepse përndryshe çdo vendimmarrje pa integritet cënon mijëra e mijëra të rinj e prindër dhe si rrjedhim të ardhmen e vendit.
Në fjalën e tij përmbyllëse Kryeministri, i uroi suksese Bordit të Akreditimit në këtë angazhim.