Drejtoresha e ASCAL Dr. Xhiliola Bixheku dhe Përgjegjësi i Sektorit të Marrëdhënieve me Bordin e Akreditimit dhe Ndërkombëtarizimin Z. Erjon Xhako morën pjesë në Forumin e Anëtarëve të ENQA-së 2024, i cili u mbajt në Hanover, Gjermani në datat 17-19 Prill 2024.
Në ditën e parë të këtij takim, u diskutua mbi perspektivat e tanishme dhe të ardhshme për sigurimin e cilësisë, për rishikimin dhe ndryshimin e ESG-ve, sigurimi i cilësisë dhe lidhja me kërkimin shkencor, etj. Gjithashtu, u prezantua një përmbledhje mbi pozicionin dhe kontributin e ENQA-s në çështjet kyçe që diskutohen në Procesin e Bolonjës, në kuadër të Konferencës Ministrore që do të zhvillohet në Tiranë në fund të muajit Maj 2024, me përfaqësues të komunitetit europian të arsimit të lartë. Në pjesën e dytë të ditës u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e ENQA-s, ku u diskutua dhe votua për çështje të ndryshme të lidhura me aktivitetin e saj.
Në ditën e dytë të takimit u prezantuan postera nga disa prej përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe atyre të asociuara lidhur me procesin e vlerësimit të jashtëm, programet e studimit në distancë, kërkimin shkencor, përfshirjen e palëve të interesuara, sigurimin e cilësisë në situata emergjente, etj., si dhe u diskutua mbi zhvillimet e shpejta të inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në arsimin e lartë.