Ndërmjet Agjencisë së Shqipërisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), është nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, në Prishtinë, në datën 30.03.2022. Nga ana e ASCAL, Shqipëri, kjo marrëveshje u nënshkrua nga drejtuesja e kësaj Agjencie, Znj. Xhiliola Bixheku, ndërsa nga AKA, Kosovë marrëveshja u nëshkrua nga drejtori i saj, Z. Naim Gashi. Në qendër të kësaj Marrëveshje është bashkëpunimi ndërinstitucional mes dy vendeve tona në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.
Ndërmjet të tjerash, drejtuesja e ASCAL, Znj. Bixheku, u shpreh se beson që ky do të jetë një bashkëpunim i frytshëm, i ndërsjelltë, përsa i përket ruajtjes së standardeve cilësore në arsimin e lartë.
Ajo theksoi gjithashtu se “... fokusi dhe përpjekjet tona do të shkojnë drejt vendosjes së standardeve dhe procedurave europiane në sistemin e arsimit tonë të lartë. Për ne është jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe një sfidë, pjesëmarrja në Asociacionin Europian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), për të cilën mendojmë se do të kemi edhe ndihmën e pakursyer të AKA”.
Duke ju përmbajtur këtij konteksti, Drejtori i AKA, Z. Gashi u shpreh se kjo marrëveshje do të kontribuojë jo vetëm në rritjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në arsimin e lartë, por edhe në avancimin e studimeve akademike në të dyja vendet tona. Ai shtoi gjithashtu se " Memorandumi ka për qëllim nxitjen për zbatimin e standardeve dhe procedurave evropiane (ESG) në sistemet e arsimit të lartë dhe bashkëpunim në plotësimin e kritereve dhe rekomandimeve të Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR)".
Në Memorandumin e nëshkruar sot, gjithashtu thuhet se “ASCAL dhe AKA angazhohen të bashkëpunojnë në shkëmbimin e përvojave të mira ndërmjet dy shteteve në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë; shkëmbimin e informacionit rreth cilësisë, rezultateve dhe akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programet që ato ofrojnë; nxitjen e shkëmbimeve të personelit akademik dhe studentëve që angazhohen në proceset e akreditimit në të dy shtetet (si anëtarë të grupit të vlerësimit të jashtëm); aplikimin e përbashkët në projekte rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë; shkëmbimin e njohurive rreth rregulloreve, udhëzimeve, manualeve apo çdo akti tjetër ligjor që rregullon fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë; vizitat e ndërsjellta të stafeve respektive për shkëmbimin e eksperiencave midis tyre”.