Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

Sondazhi Kombëtar i Studentëve (2022) – një intervistë me Drejtoreshën e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), Znj. Xhiliola Bixheku.

Në vitin 2022 u organizua nga ASCAL Sondazhi Kombëtar i Studentëve (SKS). Për të folur rreth rezultateve të këtij sondazhi, në datën 10.06.2023, e ftuar tek “Auditor Arsimi” në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) ishte Drejtoresha e ASCAL, Dr. Xhiliola Bixheku.

Sipas Znj. Bixheku, nga përpunimi statistikor i të dhënave të grumbulluara nga ky Sondazh, rezultoi se pjesëmarrja në nivel kombëtar ishte 21.57% e totalit të studentëve, një shifër kjo shumë e ulët.

Ajo u shpreh se ASCAL u përfshi me përkushtim dhe seriozitet në organizimin e këtij sondazhi. U organizuan takime në të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë me rreth 5.000 studentë dhe staf akademik. Për t’ju ardhur në ndihmë studentëve pyetësori u rikonceptua, u zvogëlua numri i pyetjeve me qëllim që ata të menaxhonin më mirë kohën e përgjigjes. Në vijim ajo theksoi se për të njëjtën arsye u mendua edhe një shtyrje afati, por përsëri pjesëmarrja e tyre ngeli e ulët.

Ndërsa, përsa i përket studentëve që u kontaktuan, 59% e tyre vinin nga IAL Publike, çka do të thotë se studentët që ndjekin arsimin publik kanë më shumë peshë kur rezultati paraqitet në nivel kombëtar. Sipas Znj. Bixheku, nga të dhënat statistikore rezultoi se numri i studentëve të nivelit Bachelor që kishin plotësuar SKS ishte më i lartë se ai i nivelit Master; ndërsa sipas gjinisë – rezultoi që vajzat ishin më të dedikuara. Ndërsa përsa i përket cilësisë së programeve të studimit dhe nivelit të stafit akademik, përgjigjet e studentëve ishin pozitive. Po ashtu, Znj. Bixheku u shpreh se në komentet e studentëve, Biblioteka zinte një pjesë shumë të moderuar. Shumë pak studentë kërkuan më shumë literaturë bazë dhe mbështetëse.

Por, gjithsesi, ky Sondazh nuk ishte me detyrim – studentët ishin të lirë të shprehnin ose jo mendimin e tyre. A duhen provuar mekanizma shtesë që të ndihmojnë në përfshirjen më të madhe të studentëve në SKS? Padyshim, përsa kohë që ky sondazh ndikon në përmirësimin e cilësisë në arsimin tonë universitar.

Intervista e plotë

Capture2