Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 1, datë 07.04.2017 PËR MBYLLJEN E PROCEDURAVE TË MBARTURA PËR SHKAK TË RIORGANIZIMIT TË INSTITUCIONEVE TË SIGURIMIT TË CILËSISË NË ARSIMIN E LARTË

VENDIM
Nr. 1, datë 07.04.2017
PËR
MBYLLJEN E PROCEDURAVE TË MBARTURA PËR SHKAK TË RIORGANIZIMIT TË INSTITUCIONEVE TË SIGURIMIT TË CILËSISË NË ARSIMIN E LARTË 


Bordi i Akreditimit, bazuar në Ligjin Nr. 80, datë 17.09.2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, Ligjin Nr. Nr.8480, date 27.5.1999, “Për Funksionimin e Organeve Kolegjiale të Administratës Shtetërore dhe Enteve Publike”, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 109, datë 15.02.2017, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë e të Bordit të Akreditimit dhe për përcaktimin e tarifave për proceset e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë”, në mbledhjen e tij të parë datë 7-8 Prill 2017,

KONSTATON SE:

1.      Në Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) gjenden të depozituara disa procedura dhe çështje të papërfunduara dhe/ose të mbetura pezull, për shqyrtim e vendimmarrje nga Këshilli i Akreditimit të Arsimit të Lartë (KA), për arsye të riorganizimit të këtyre institucioneve (ASCAL-BA) në përputhje me dispozitat e nenit 136 të Ligjit Nr. 80, datë 17.09.2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

2.      Procedurat e papërfunduara dhe/ose të mbetura pezull përfshijnë çështje të:  vendimmarrjes në kuadër të akreditimit të IAL-ve dhe/ose programeve të studimit; ankimimit mbi vendimet e mëparshme të KA; shpalljes dhe publikimit të Vendimeve të KA; kërkesave për ndryshim/saktësim të Vendimeve të KA dhe cështje të tjera që lidhen me këto procese, procedura e vendime.

Për këto arsye dhe në kushtet e nevojës për vendimarrje dhe për zgjidhjen e problematikave të mësipërme, Bordi i Akreditimit:

VENDOSI: 

1.      Të marrë në shqyrtim dhe të përmbyllë procedurat e vlerësimit të papërfunduara dhe kërkesat e depozituara në ASCAL përpara fillimit të veprimtarisë të këtij Bordi dhe për të cilat kërkohet vendimarrje sipas legjislacionit në fuqi.

2.      Të shpallen e të publikohen Vendimet e Këshillit të Akreditimit, për të cilat nuk është nxjerrë urdhëri përkatës nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e të cilave u ka kaluar periudha 1 mujore nga marrja e njoftimit nga MAS. 

3.       Ngarkohet Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë për zbatimin e këtij Vendimi.

Ky Vendim hyn në fuqi menjëherë.

BORDI I AKREDITIMIT