VENDIM
Nr. 12, datë 06.01.2015
PËR
AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË TRETË, MASTER I NIVELIT TË DYTË NË “IMPLANTOLOGJI DHE PROTEZA DENTARE”, TË UNIVERSITETIT KATOLIK “ZOJA E KËSHILLIT TË MIRË”
Këshilli i Akreditimit, bazuar në Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për Arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar dhe mbështetur në procedurën e ndjekur nga APAAL, raportet e vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm si dhe dokumentacionin mbështetës, për programi i studimit, master i nivelit të dytë në “Implantologji dhe proteza dentare” me elementët si më poshtë:
a) Emërtimi i programit: Master i nivelit të dytë në “Implantologji dhe proteza dentare”
b) Cikli i studimit: Cikli i tretë
c) Vendimi i hapjes/licencimit: Vendim i Këshillit të Ministrave Nr. 858, datë 05.08.2009
d) Institucioni që e ofron: Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në bashkëpunim me Universitetin “Tor Vergata”, Itali.
e) Fakulteti përgjegjës: Fakulteti i Mjekësisë
f) Kohëzgjatja (Vite/semestra): 2 Vite/4 Semestra
g) Kredite (ECTS): 60 Kredite
h) Forma e studimi: Me kohë të pjesshme
i) Gjuha e studimeve: Italisht
j) Statusi i diplomës: Diplomë e përbashkët me Universitetin “Tor Vergata”, Itali
që përfundon me diplomë të përbashkët master i nivelit të dytë në “Implantologji dhe protezë dentare”
VENDOSI
1. Programi i studimit master i nivelit të dytë në “Implantologji dhe protezë dentare” i përmbush plotësisht “Standardet shtetërore të cilësisë” për akreditimin e programit të studimit të ciklit të tretë si dhe kërkesat ligjore akademike.
2. Vërejmë se ky program studimi është licencuar në vitin 2009 kur në ligjin e arsimit të lartë parashikohej ky lloj/nivel programi studimi. Pas ndryshimeve ligjore të vitit 2010, ky program studimi vijoi të ofrohej si i tillë në përputhje me Nenin 45, Pika 1/b, 2, të Ligjit Nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për Arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, mbështetur edhe në faktin/detyrimin që ofrohej si diplomë e përbashkët me Universitetin “Tor Vergata”, Itali, në zbatim të marrëveshjes zyrtare midis dy Institucioneve për këtë program studimi. Ky lloj/nivel programi studimi ende ekziston në sistemin Italian të arsimit të lartë. Për këtë arsye Këshilli i Akreditimit vendos të japë vlerësimin përfundimtar pozitiv.
Mbështetur në sa më sipër, Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit që, programi i studimit, master i nivelit të dytë, në “Implantologji dhe Protezë Dentare” me elementët e mësipërm, të akreditohet.