Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 152, datë 31.03.2016 PËR AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË PARË, BACHELOR NË “MENAXHIM BIZNESI”, TË UNIVERSITETIT PRIVAT ALBANIAN UNIVERSITY

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 152, datë 31.03.2016
PËR
AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË PARË, BACHELOR NË “MENAXHIM BIZNESI”, TË UNIVERSITETIT PRIVAT ALBANIAN UNIVERSITY


Këshilli i Akreditimit, bazuar në Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për Arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar dhe mbështetur në procedurën e ndjekur nga APAAL, raportet e vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm si dhe dokumentacionin mbështetës, për programin e studimit, me elementët si më poshtë:

a)      Emërtimi i programit: Bachelor në “Menaxhim biznesi”
b)      Cikli i studimit: Cikli i parë
c)      Vendimi i hapjes/licencimit: Vendim i Këshillit të Ministrave Nr. 408, datë 26.05.2010
d)      Institucioni që e ofron: Universiteti Privat Albanian University
e)      Fakulteti përgjegjës: Fakulteti i Shkencave të Aplikuara dhe Ekonomike
f)       Kohëzgjatja (Vite/semestra): 3 Vite/ 6 Semestra
g)      Kredite (ECTS): 180 Kredite
h)      Forma e studimi: Me kohë të plotë
i)       Statusi i diplomës: Ofrohet nga vetë Institucioni
j)       Niveli i diplomës në kuadrin e Kornizës Shqiptare të kualifikimeve: Niveli 6

VENDOSI

1.      Programi i studimit Bachelor në “Menaxhim biznesi” i përmbush pjesërisht “Standardet shtetërore të cilësisë” për akreditimin e programit të studimit të ciklit të parë si dhe kërkesat ligjore akademike.

2.      Institucioni duhet të marrë masa të menjëhershme që të plotësojë kushtet si më poshtë:
a.       Konsolidimin e zyrës së karrierës dhe dokumentimin e kontakteve me studentët e diplomuar.
b.      Përmirësimin e nivelit të trajnimit të stafit akademik, që nga mosha e re vjen me pak përvojë individuale të drejtpërdrejtë pune në fushën e formimit profesional.
c.       Ngarkesa mësimore për anëtarët e stafit akademik të brendshëm duhet të përputhet menjëherë më standarde kombëtare të ngarkesës për të mundësuar si rritjen e cilësisë së mësimdhënies por edhe krijimin e kohës së nevojshme për përfshirjen e tyre në kërkimin shkencor e më gjerë.
d.      Ngritja e një qendre të kërkimit shkencor.
e.       Planifikimi i fondeve të veçanta për zhvillimin e punës kërkimore shkencore të stafit akademik.
f.        Diversifikimi i burimeve të financimit të punës kërkimore shkencore
g.      Realizimi i studimit të tregut për këtë program studimi.
h.      Përgatitja e dokumenteve mbi Strategjinë e zhvillimit të Institucionit.
i.        Informacion, i qartë, i saktë dhe i aksesueshëm mbi punësimin me kohë të plotë të stafit PAK, bashkëshoqëruar me lejet përkatëse nga punëdhënësit e tyre, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e programit të studimit.
j.        Paraqitja e bazës së të dhënave mbi stafin akademik të brendshëm bashkëshoqëruar me titujt e gradat e tyre dhe dokumentacionin përkatës që provon këto të fundit.
k.      Krijimi i hapësirave të nevojshme dhe të mjaftueshme sipas standardeve për zhvillimin e punës kërkimore shkencore nga stafi akademik efektiv.

3.      Mbështetur në sa më lart, Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit që, programi i studimit, Bachelor në “Menaxhim biznesi” me elementët e mësipërm, të akreditohet me kusht.

4.      Ngarkohet APAAL të ndjekë plotësimin e kushteve dhe të rekomandimeve si më lart, e ti paraqesë për shqyrtim nga KA.

KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË