Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 168 datë 15.04.2011 - SHLUP “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 168 datë 15.04.2011

Për Programin e Studimit të Ciklit të Parë që përfundon me Bachelor (Bsc) në:
1. INFERMIERI E PËRGJITHSHME
Për Programin e Integruar të Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (Msc) në:
1. FARMACI
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (Msc) në:
1. SHKENCA EDUKIMI
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (Mp) në:
1. SHKENCA EDUKIMI
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e reja të studimit, Bachelor në “Infermieri e Përgjithshme”; Master i Shkencave në “Farmaci”; Master i Shkencave në “Shkenca Edukimi” dhe Master Profesional në “Shkenca Edukimi” të kërkuar nga Institucioni i Arsimit Privat “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
1. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Bsc në “Infermieri e Përgjithshme”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
2. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Msc në “Farmaci”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet:
· Të rishikohen vendosjet në vite të disa lëndëve si Patologji, Toksikologji analitike (të cilat duhen spostuar respektivisht në vit të tretë dhe në vit të katërt).
· Të rregullohen kreditet dhe/ ose vendosja në grupe të ndryshme disiplinore të moduleve Patologji, Gjuhë e Huaj, Mikrobiologji farmaceutike etj, si dhe detyrimet penguese për disa të tjera.
· Të rregullohet mënyra e vlerësimit të studentit dhe kriteret minimale për t’u quajtur kalues.
· Të azhornohet literatura në disa raste dhe në raste të tjera duhet raportuar literatura bazë.
· Për disa module duhen sjellë programet e punëve laboratorike të cilat mungojnë.
· Të rregullohen objektivat e lëndës, specifikuar apo zgjeruar më shumë programet sipas rekomandimeve të dhëna në pikat përkatëse sipër.
3. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Msc në “Shkenca Edukimi”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat:
· Misioni i këtij programi studimi nuk është paraqitur fare.
· Syllabuset e të gjitha lëndëve të masterit në elementët: Qëllimi i modulit; përshkrimi i lëndës dhe rezultatet e pritshme; Detyrimet e studentit; Mënyrat e vlerësimit; Programi i lëndës dhe Literatura e rekomanduar, janë njësoj me syllabuset e këtij programi.
· Plani mësimor ka shume pasaktësi teknike të llogaritjeve të orëve mësimore të leksioneve dhe seminareve, si dhe të llogaritjes së orëve për kredit, për të cilat nevojitet të ripunohet.
· Sasia e orëve të leksioneve dhe seminareve në syllabuset e lëndëve nuk përputhet me planin mësimor.
· Duhet të përcaktohen qartë fusha e Diplomave të Nivelit të Parë dhe Diplomave të Nivelit të Dytë, të cilëve u lind e drejta për të ndjekur këtë program studimi, si dhe lista e disiplinave të diplomave të mësipërme në të cilat studenti duhet të bëjë plotësimet e krediteve të mangëta. Mungojnë Kriteret specifike për pranimin e studentëve. Aplikuesi nuk ka paraqitur kritere minimale akademike përzgjedhëse për studentët.
4. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Mp në “Shkenca Edukimi”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat:
· Misioni i këtij programi studimi nuk është paraqitur fare. Objektivat këtij programi studimi nuk janë paraqitur saktë.
· Nuk janë paraqitur fare tregu potencial i punës për të diplomuarit në këtë PS.
· Plani mësimor ka shumë pasaktësi teknike të llogaritjeve të orëve mësimore të leksioneve dhe seminareve, si dhe të llogaritjes se orëve për kredit, për të cilat nevojitet të ripunohet.
· Sasia e orëve të leksioneve dhe seminareve në syllabuset e lëndëve nuk përputhet me planin mësimor.
· Duhet të përcaktohen qartë fusha e Diplomave të Nivelit të Parë dhe Diplomave të Nivelit të Dytë, të cilëve u lind e drejta për të ndjekur këtë program studimi, si dhe lista e disiplinave të diplomave të mësipërme në të cilat studenti duhet të bëjë plotësimet e krediteve të mangëta.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në Infermieri e Përgjithshme të hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Farmaci të hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Shkenca Edukimi të mos hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Shkenca Edukimi të mos hapet
KËSHILLI i AKREDITIMIT
Bardhyl MUSAI Kryetar __________________________
Anila HODA Nën/Kryetar __________________________
Gëzim HADAJ Anëtar __________________________
Emil LAMANI Anëtar __________________________
Vladimir NIKA Anëtar __________________________
Shyqyri LLACI Anëtar __________________________
Edlira LATE Anëtar __________________________
Ilir BOZGO Anëtar __________________________
Qamil DIKA Anëtar __________________________