Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 187, datë 07.07.2016 MBI HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË PARË, BACHELOR NË “INXHINIERI KOMPJUTERIKE DHE TEKNOLOGJI INFORMACIONI”, TË SHKOLLA E LARTË UNIVERSITARE PRIVATE "INSTITUTI KANADEZ I TEKNOLOGJISË", TIRANË

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 187, datë 07.07.2016
MBI
HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË PARË, BACHELOR NË “INXHINIERI KOMPJUTERIKE DHE TEKNOLOGJI INFORMACIONI”, TË SHKOLLA E LARTË UNIVERSITARE PRIVATE "INSTITUTI KANADEZ I TEKNOLOGJISË", TIRANË


Këshilli i Akreditimit, bazuar në Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Vendimin Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar, mbështetur në procesin dhe rezultatet e vlerësimit paraprak, të programit të studimit me elementët:

a)      Emërtimi i programit: Bachelor në “Inxhinieri kompjuterike dhe teknologji informacioni”
b)      Cikli i studimit: Cikli i parë
c)      Institucioni që e ofron: ShLUP “Instituti Kanadez i Teknologjisë”, Tiranë
d)      Fakulteti përgjegjës: Fakulteti i Inxhinierisë
e)      Kohëzgjatja (Vite/semestra): 3 vite / 6 semestra
f)       Kredite (ECTS): 180 ECTS
g)      Forma e studimi: me kohë të plotë
h)      Gjuha e studimeve: anglisht
i)       Diploma lëshohet: vetëm nga IAL propozuese
j)       Numri i studentëve të parashikuar për vit akademik: 30 studentë
k)      Niveli i diplomës në kuadrin e Kornizës Shqiptare të kualifikimeve: Niveli 6

VENDOSI:


1.      Programi i studimit Bachelor në “Inxhinieri kompjuterike dhe teknologji informacioni”, i përmbush pjesërisht standardet e cilësisë për këtë lloj dhe cikël programi studimi.

2.      Mbështetur në sa më sipër, Këshilli i Akreditimit vendos që ky program studimi të hapet vetëm pasi të plotësojë mangësitë si më poshtë:

a.       Të korrigjohen mospërputhjet e aktiviteteve në planin mësimor dhe syllabuseve përkatëse përsa i përket emërtimeve të lëndëve, semestrave të zhvillimit të lëndëve, orëve mësimore të lëndës sipas formave të mësimdhënies etj. si dhe të jepet ngarkesa në orë për projektin e parashikuar sipas planit mësimor.

b.      Të rishikohet mbulimi i ngarkesës mësimore për rastin kur për 5 lëndë është parashikuar i njëjti pedagog.

c.       Lënda “Mekanikë për inxhinierë” të mos përfshihet në këtë program studimi dhe të zëvendësohet me ndonjë lëndë tjetër formuese për programin në fjalë duke qenë se ka një përsëritje të temave me ato të lëndës “Fizikë bazë” në masën mbi 50%.

d.      Të jepen të dhëna për infrastrukturën në dispozicion të programit (informacion lidhur me: auditoret, laboratorët e duhur, bibliotekën, mjetet kompjuterike, etj.) si dhe për personelin ndihmës mësimor shkencor dhe administrativ në shërbim të programit të studimit.

e.       Të jepen të dhënat për bashkëpunimet e mundshme për realizimin e praktikave mësimore.