KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 189 datë 24.06.2011
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (Msc) në:
1. FINANCË
2. KONTABILITET
3. ADMINISTRIM BIZNESI
4. PSIKOLOGJI LIGJORE
5. PSIKOLOGJI ORGANIZATIVE
6. PSIKOLOGJI KLINIKE
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:
1. LABORANT MJEKËSOR
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Master i Shkencave dhe Master Profesional të kërkuara nga Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Financë”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
Të angazhohen personel akademik me gradën doktor në lëndët e specialitetit të financës (Drejtimi financiar i institucioneve publike; Kontabiliteti i drejtimit; Menaxhimi i riskut; Teoria e portofolit; Strategjia e menaxhimit të investimeve në pasuri reale) ku pretendohet të jepen njohuri më të thelluara dhe të veçanta.
- Të përputhen të dhënat e plota për personelin akademik.
- Të paraqiten emrat e personelit akademik në të gjitha syllabuset e lëndëve.
- Të përputhet programi i lëndës me nivelin e programit të studimit, pasi disa prej tyre paraqiten si një përsëritje e njohurive të marra në disiplinat e marketingut.
- Të rishikohet emërtimi i lëndës “Manaxhimi i financave publike”, pasi duket se paralelizon emërtimin e lëndës tjetër “Drejtimi financiar i institucioneve publike”.
- Të realizohet një diferencim në kriteret e pranimit për studentët e programeve të studimit të profileve të ndryshme.
- Të unifikohen programet e lëndëve nga pikëpamja formale si dhe në vlerësimin e studentëve.
- Të rishikohen detyrimet e studentëve pasi ka raste të përllogaritjes jo të saktë të shumës së pikëve.
- Të rishikohen syllabuset e lëndëve pasi në disa raste ka mbivendosje temash.
2. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Kontabilitet”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
3. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Administrim Biznesi”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
4. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Psikologji Ligjore”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
- Të përcaktohet praktika mësimore dhe laboratorët e nevojshme për të bërë vlerësimet e duhura për këtë program studimi.
- Të rishikohen lëndë si “Teoritë e aplikuara në komunikim” dhe “Psikologji pedagogjike” të cilat janë lëndë të nivelit Bachelor.
- Të vendoset si kriter i detyrueshëm njohja e gjuhës së huaj anglisht (me çertifikim ndërkombëtar) në mënyrë që studentët të jenë në gjendje të shfrytëzojë literaturën e syllabuseve e cila jepet tërësisht në gjuhën angleze.
5. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Psikologji Organizative”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar: Të realizohet një studim real mbi tregun e punës për këtë lloj specializimi pasi një gjë e tillë nuk ekziston në Shqipëri ose mbulohet nga profili i Administrimit Publik.
6. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Psikologji Klinike”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar: Të vendosen kritere shtesë pranimi për ata studentë të cilët nuk vijnë nga sistemi i edukimit në nivelin Bachelor jashtë fushës së shkencave sociale.
7. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Laborant Mjekësor”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat:
· Nuk del qartë epërsia e programit të studimit Master Profesional në krahasim me programin Bachelor.
· Për lëndët si “Mikrobiologji”; “Patologjia morfologjike”; “Pediatri” dhe “Farmako toksikologjia” qëllimet e tyre janë të njëjta me qëllimin dhe programin e nivelit Bachelor.
· Literatura e paraqitur në syllabuse është shumë e vjetëruar, para 20 ose 30 vitesh.
· Në lëndët specifike mjekësore personeli akademik ka gradën Master ndërkohë që duhet të kenë të paktën gradën shkencore Doktor.
· Të dhënat në Nenin Nr.6 të Rregullores së programit të studimit “Misioni i programit të Masterit Profesional është thellimi i mëtejshëm i aftësive profesionale” bie në kundërshtim me planin mësimor të detajuar si dhe syllabuset e lëndëve.
· Kriteri i regjistrimit të studentëve që kanë përfunduar Bachelor në Mami dhe Fizioterapi nuk është i përshtatshëm pasi programi i tyre i studimeve ka shumë dallime nga ai i Laborantin Mjekësor.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Kontabilitet të hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Administrim Biznesi të hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Laborant Mjekësor të mos hapet
Institucioni aplikues Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, për programet e studimit: M.Sc. në “Financë”; M.Sc. “Psikologji Klinike”; M.Sc. “Psikologji Organizative” dhe M.Sc. “Psikologji Ligjore”, pasi të jenë plotësuar kushtet e mësipërme për programet e studimit, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.
KËSHILLI i AKREDITIMIT
Bardhyl MUSAI Kryetar __________________________
Anila HODA Nën/Kryetar __________________________
Gëzim HADAJ Anëtar __________________________
Emil LAMANI Anëtar __________________________
Vladimir NIKA Anëtar __________________________
Shyqyri LLACI Anëtar __________________________
Edlira LATE Anëtar __________________________
Ilir BOZGO Anëtar __________________________
Qamil DIKA Anëtar __________________________
Z. Shyqyri Llaci nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje.