VENDIM
Nr. 2, datë 07.04.2017
PËR
PËRCAKTIMIN E KOHËZGJATJES DHE AFATEVE TË VLEFSHMËRISË SË AKREDITIMIT NË KUADËR TË VENDIMMARRJES PËR AKREDITIMIN E INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË DHE PROGRAMEVE TË STUDIMIT
Bordi i Akreditimit, bazuar në Ligjin Nr. 80, datë 17.09.2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, Ligjin Nr. Nr. 8480, date 27.5.1999 “Për Funksionimin e Organeve Kolegjiale të Administratës Shtetërore dhe Enteve Publike”, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 109, datë 15.02.2017, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë e të Bordit të Akreditimit dhe për përcaktimin e tarifave për proceset e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë”, Vendimin e Bordit të Akreditimit Nr. 1, datë 07.04.2017, “Për Përmbylljen e Procedurave të Mbartura për Shkak të Riorganizimit të Institucioneve të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë”, në mbledhjen e tij të parë datë 7-8 Prill 2017,
KONSTATON SE :
Sipas nenit 106, pika 4, të Ligjit Nr. 80, datë 17.09.2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet se “Vlefshmëria e çdo akreditimi institucional dhe e programeve të studimit që lidhen me të nuk mund të zgjasë më shumë se 6 vjet”; dhe sipas gërmës “c)”, të pikës 21, të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 109, datë 15.02.2017, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë e të Bordit të Akreditimit dhe për përcaktimin e tarifave për proceset e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë” përcaktohet se ”Vendimi përfundimtar i Bordit tëAkreditimit mund të jetë:“pozitiv”, kur përmbushen standardet dhe kriteret përkatëse institucionale apo të programeve. Kohëzgjatja dhe afati i vlefshmërisë së akreditimit institucional përcaktohen sipas shkallës së plotësimit të standardeve të cilësisë, ndërsa për programet e studimit edhe në varësi të kohëzgjatjes së tyre. Kohëzgjatja maksimale e vlefshmërisë së akreditimit institucional dhe/ose programeve të studimit nuk mund të jetë më shumë se 6 vite”.
Nga sa më sipër, Bordi i Akreditimit, në kushtet e nevojës për të identifikuar elemente dhe kritere që udhëzojnë përcaktimin e kohëzgjatjes së vlefshmërisë dhe afateve të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve te studimit që ato ofrojnë, në kuadër të vendimmarrjes pozitive të akreditimit,
VENDOSI:
1. Elementet e shkallës së plotësimit të standardeve të cilësisë, të cilat orientojnë Bordin e Akreditimit në përcaktimin e kohëzgjatjes dhe afatit të vlefshmërisë së akreditimit konsistojnë në:
a) Nivelin e plotësimit të standardeve shtetërore sipas rezultateve të vlerësimit të jashtëm të cilësisë;
b) Rezultatet e akreditimeve të mëparshme dhe plotësimin e rekomandimeve në vijim si dhe në ecurinë e cilësisë nga njëri akreditim në tjetrin.
c) Rezultatet e monitorimit dhe ruajtjen e standardeve të cilësisë nga licensimi/hapja e Institucionit të arsimit të lartë dhe/ose programit të studimit e në vijim.
d) Qëndrueshmërinë institucionale në lidhje me të dhënat, dokumentacionin dhe proceset që lidhen e janë në funksion të ruajtjes dhe rritjes së standardeve të cilësisë së ofertës akademike.
e) Për programet e studimit, kohëzgjatja e vlefshmërisë dhe afatit të akreditimit, përcaktohet në raport edhe me kohëzgjatjen e programit të studimit
2. Kohëzgjatja e vlefshmërisë së akreditimit institucional dhe të programeve të studimit shprehet në vite akademike.
3. Afati i akreditimit përcakton datën fundore të vlefshmërisë së akreditimit të shprehur në ditë/muaj/vit (DD/MM/VV).
4. Për efekt të vlefshmërisë së akreditimit, kur vendimi final i Bordit të Akreditimit është pozitiv, Institucionet e Arsimit të Lartë që kanë paraqitur kërkesën për akreditimin periodik ose plotësimin e rekomandimeve/kushteve, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe që kanë qënë në proces vlerësimi në kuadër të akreditimit, konsiderohen të akredituara për periudhën midis akreditimeve.
5. Ngarkohet Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë per zbatimin e këtij Vendimi.
Ky Vendim hyn në fuqi menjëherë.
BORDI I AKREDITIMIT