REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 206, datë 18.11.2016
PËR
AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË PËRBASHKËT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË DYTË MASTER PROFESIONAL NË “NGRITJE DHE ZHVILLIM I SIPËRMARRJES NË SEKTORIN E TURIZMIT”, MIDIS UNIVERSITETIT KATOLIK “ZOJA E KËSHILLIT TË MIRË” TIRANË DHE UNIVERSITETIT “ALMA MATER” BOLONJË, ITALI
Këshilli i Akreditimit, bazuar në nenin 138 të Ligjit Nr.80 datë 17.09.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” , Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Vendimin Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar dhe mbështetur në procedurën e ndjekur nga APAAL, raportet e vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm si dhe dokumentacionin mbështetës, për programin e studimit, me elementët si më poshtë:
a) Emërtimi i programit: Master Profesional në “Ngritje dhe Zhvillim i Sipërmarrjes në Sektorin e Turizmit” për Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” Tiranë / ”Master universitario di primo livello in Start up di Impresa nel settore turistico” për Universitetin “Alma Mater” Bolonjë, Itali
b) Cikli i studimit: Cikli i dytë
c) Akti zyrtar i hapjes/licencimit: Urdhër i Ministrit të Arsimit dhe Shkencave Nr. 433, datë 12.11.2015
d) Institucioni që e ofron: Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” Tiranë/ Universiteti “Alma Mater” Bolonjë, Itali
e) Fakulteti përgjegjës: Fakulteti i Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale
f) Kohëzgjatja (Vite/semestra): 1 vit / 2 semestra
g) Kredite (ECTS): 60 ECTS
h) Forma e studimit: Me kohë të plotë
i) Statusi i diplomës: Diplomë e Përbashkët midis Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” Tiranë dhe Universitetit “Alma Mater” Bolonjë, Itali
j) Niveli i diplomës në kuadrin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve: Niveli 7
VENDOSI:
1. Programi i studimit Master Profesional në “Ngritje dhe Zhvillim i Sipërmarrjes në Sektorin e Turizmit”/ “Master universitario di primo livello in Start up di Impresa nel settore turistico” i përmbush “Standardet Shtetërore të Cilësisë” për akreditimin e programit të studimit të ciklit të dytë.
2. Mbështetur në gjithë sa më sipër, Këshilli i Akreditimit jep vlerësim pozitiv me rekomandimet e mëposhtme:
a. Institucioni duhet të ndërmarrë një vlerësim tërësor për këtë program studimi si dhe në raport me kërkesat e tregut të punës.
b. Strategjia e Institucionit duhet të përditësohet me elementë që lidhen edhe me këtë fushë të ekonomisë të integruar rishtazi në këtë Institucion.
3. Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit që, programi i studimit, Master Profesional në “Ngritje dhe Zhvillim i Sipërmarrjes në Sektorin e Turizmit”/ “Master universitario di primo livello in Start up di Impresa nel settore turistico” me elementët e mësipërm, të akreditohet.
4. Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” për programin e studimit Master Profesional në “Ngritje dhe Zhvillim i Sipërmarrjes në Sektorin e Turizmit”/ ”Master universitario di primo livello in Start up di Impresa nel settore turistico” duhet të sigurojë që standardet e cilësisë, mbi bazën e të cilave është dhënë vlerësimi, të përmbushen për të gjithë periudhën kohore të vlefshmërisë së akreditimit.
5. Ngarkohet Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë të monitorojë në vazhdimësi ruajtjen e këtyre standardeve dhe të raportojë pranë Këshillit të Akreditimit.
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË