Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 206 datë 29.07.2011 - SHLUP “Universiteti Europian i Tiranës”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 206 datë 29.07.2011


Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. FUSHËN E KËSHILLIMIT PSIKOLOGJIK DHE PSIKOTERAPI
Për Programet e Studimit të Ciklit të Tretë që përfundojnë me Doktor (Dr.) në:
1. SHKENCA EKONOMIKE, me profile: a. Financë; b. Menaxhim; c. Ekonomi dhe Zhvillim i Qëndrueshëm; d. Menaxhim i Sistemeve të Informacionit
2. SHKENCA SOCIALE, me profile: a. Shkenca Komunikimi; b. Shkenca politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare; c. Sociologji – Antropologji Sociale; d. Psikologji – Pedagogji
3. SHKENCA JURIDIKE, me profile: a. E Drejtë Publike; b. E Drejtë Ndërkombëtare; c. E Drejtë Civile; d. E Drejtë Biznesi
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit Master i Shkencave dhe Doktoraturë të kërkuar nga ShLUP “Universiteti Europian i Tiranës”, Tiranë, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, M.Sc. në “Fushën e Këshillimit Psikologjik dhe Psikoterapi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar: Kushtet:
Të shprehet qartë emërtimi i programit të studimit pasi emërtimi Master i Shkencave nuk përshtatet me programin e studimit pasi nuk plotëson kërkesën e Ligjit nr. 10307, datë 22.07.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë në RSH” të ndryshuar”, neni 15, paragrafi 1.2.1 i nenit 26 të ndryshuar, pika a) “programet e studimeve të ciklit të dytë i pajisin të diplomuarit, që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor” me njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë, brenda një specialiteti”. Pjesa e fundit e këtij paragrafi “trajnim për kërkim shkencor” nuk është e plotësuar.
Të plotësohet plani mësimor sipas udhëzimeve të MASh dhe të paraqiten të detajuara ngarkesa mësimore sipas formave të mësimdhënies.
Të paraqitet ngarkesa mësimore jashtë auditorit si dhe të paraqiten format e mësimdhënies.
Të paraqitet raporti orë mësimi në auditor/punë e pavarur e studentit.
Të paraqitet ndarja e lëndëve sipas veprimtarive formuese.
Të përputhen të dhënat e ECTS për projektin kërkimor dhe tezën e diplomës me udhëzimet e MASh (30-40 kredite).
Të paraqiten të dhëna për përbërjen dhe për kualifikimin e anëtarëve të Komitetit Shkencor.
Të paraqiten syllabuse për çdo modul dhe jo të grupuara.
Të plotësohen syllabuset me elementët si: Viti/semestri kur zhvillohet lënda; Misioni dhe objektivat e lëndës; Ngarkesa në orë si në auditorë dhe jashtë tij; format dhe metodat e mësimdhënies dhe raportet midis tyre; detyrimet e studentit për lëndën dhe literatura ndihmëse.
2. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Doktoraturë në “Shkenca Ekonomike” me profile: Financë; Menaxhim; Ekonomi dhe Zhvillim i Qëndrueshëm; Menaxhim i Sistemeve të Informacionit, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
3. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Doktoraturë në “Shkenca Sociale” me profile: Shkenca Komunikimi; Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare; Sociologji – Antropologji Sociale, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
4. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Doktoraturë në “Shkenca Sociale” me profil: Psikologji - Pedagogji, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet: Të bëhet diferencimi i këtij programi pasi Pedagogjia dhe Psikologjia janë drejtime të ndryshme dhe si të tilla duhen trajtuar edhe në një program doktrature; Të caktohen lëndë specifike për çdo drejtim dhe të përshtatshme për nivelin e shkollës së doktoraturës; personeli akademik të jetë me kualifikim adekuat dhe në përputhje me secilin drejtim; të shikohet mundësia për të bashkëpunuar me Universitetin e Tiranës.
5. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, Doktoraturë në “Shkenca Juridike” me profile: E Drejtë Publike; E Drejtë Ndërkombëtare; E Drejtë Civile; E Drejtë Biznesi, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Doktoraturë në Shkenca Ekonomike, me profile: a. Financë; b. Menaxhim; c. Ekonomi dhe Zhvillim i Qëndrueshëm; d. Menaxhim i Sistemeve të Informacionit të hapet
Programi i Studimit: Doktoraturë në Shkenca Sociale, me profile: a. Shkenca Komunikimi; b. Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare; c. Sociologji – Antropologji Sociale; d. Psikologji – Pedagogji të hapet
Programi i Studimit: Doktoraturë në Shkenca Juridike, me profile: a. E Drejtë Publike; b. E Drejtë Ndërkombëtare; c. E Drejtë Civile; d. E Drejtë Biznesi të hapet
Institucioni aplikues ShLUP “Universiteti Europian i Tiranës”, për programin e studimit: M.Sc. në “Fushën e Këshillimit Psikologjik dhe Psikoterapi, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT