Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 213, datë 16.12.2016 PËR AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË TRETË, DOKTORATË NË “E DREJTË EUROPIANE DHE E KONTRATAVE”, TË UNIVERSITETIT PRIVAT “ALBANIAN UNIVERSITY”

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 213, datë 16.12.2016
PËR
AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË TRETË, DOKTORATË NË “E DREJTË EUROPIANE DHE E KONTRATAVE”, TË UNIVERSITETIT PRIVAT “ALBANIAN UNIVERSITY”

 

Këshilli i Akreditimit, bazuar në nenin 138 të Ligjit Nr.80 datë 17.09.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” , Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Vendimin Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar, dhe mbështetur në procedurën e ndjekur nga APAAL, raportin e vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm si dhe dokumentacionin mbështetës, për programin e studimit Doktoratë në “E Drejtë Europiane dhe e Kontratave”, me elementët si më poshtë:


a)      Emërtimi i programit: Doktoratë në “E Drejtë Europiane dhe e Kontratave”

b)      Cikli i studimit: Cikli i tretë

c)      Akti zyrtar i hapjes/licensimit: Urdhër i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr.564 datë 19.11.2012, ndryshuar me Urdhërin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 380 datë 06.09.2013.

d)      Institucioni që e ofron*: Universiteti Privat “Albanian University”

e)      Fakulteti përgjegjës: Fakulteti i Shkencave Shoqërore

f)       Kohëzgjatja (Vite/semestra): së paku 3 vite

g)      Kredite (ECTS): 60 Kredite (viti i formimit teorik)

h)      Forma e studimit: Nuk përcaktohet

i)       Statusi i diplomës: ofrohet vetëm nga Universiteti Privat “Albanian University”

j)       Niveli i diplomës në kuadrin e Kornizës Shqiptare të kualifikimeve: Niveli 8

 

VENDOSI:

 

1.      Programi i studimit Doktoratë në “E Drejtë Europiane dhe e Kontratave”, nuk i përmbush kriteret ligjore dhe “Standardet Shtetërore të Cilësisë” për akreditimin e programeve të studimit të ciklit të tretë, doktoratë me argumentet e mëposhtme:

a.       Institucioni nuk ka një strategji të mirëfilltë për kërkimin shkencor në funksion të këtij programi studimi.

b.      Stafi akademik me kohë të plotë i angazhuar në realizimin e vitit teorik 2013-2014 nuk mbulon ngarkesën 60%. Edhe pas këtij viti stafi akademik ka pësuar ulje të mëtejshme në numër. Paqëndrueshmëria dhe ulja e cilësisë përbëjnë një kërcënim real për cilësinë e këtij programi.

c.       Institucioni ofron kapacitete të pamjaftueshme kërkimore për studentët. Aksesi i studentëve në literaturën akademike europiane e ndërkombëtare (veçanërisht për specifikën e këtij programi studimi të emërtuar “E Drejtë Europiane dhe e Kontratave”) është shumë i kufizuar; ndërkohë  titujt e aksesueshëm të bibliotekës elektronike nuk janë në përputhje me nivelin e këtij programi studimi.

d.      Edhe pse Institucioni ka disa marrëveshje bashkëpunimi, ato nuk kanë patur impakt konkret në ndërkombëtarizimin e këtij programi studimi, në të gjitha aspektet e tij, veçanërisht në nxitjen e mobilitetit të studentëve.

e.       Mungesa e të dhënave të plota e të dokumentuara për studentët e regjistruar në këtë program studimi, veçanërisht për ata të cilët nuk e frekuentojnë më këtë program. 

f.        Nuk janë zbatuar të gjitha kriteret për pranimin e studentëve në këtë program studimi veçanërisht në lidhje me mesataren në hyrje (1 student) dhe jo të gjithë studentët kanë të dokumentuar dëshminë e mbrojtjes së gjuhës së huaj; ky i fundit ende mungon në dokumentacionin e disa studentëve vijues.

g.      Këshilli i Profesorëve nuk plotëson kërkesat për shkallën e kualifikimit të anëtarëve të tij: ka një numër anëtarësh të tij me titullin Prof. As që nuk dokumentohet se janë në proces të fitimit të titullit Prof. Vihet re gjithashtu paqëndrueshmëri në përbërjen e këtij Këshilli me ndryshime të vazhdueshme dhe me vende ende vakante pas largimit të anëtarëve.

h.      Mundësitë për zhvillimin e projekteve dhe konferencave shkencore janë të kufizuara, kjo si pasojë e mungesës së burimeve të tjera financiare kombëtare ose ndërkombëtare përveç të ardhurave të siguruara nga tarifat e studentëve, sidomos në kushtet kur Institucioni nuk përdor burime të tjera për mbështetjen e këtij programi.

2.      Mbështetur në gjithë sa më sipër, Këshilli i Akreditimit vendos të japë për këtë program studimi vlerësim negativ.

3.      Mbështetur në sa më sipër, Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit që, programi i studimit, Doktoratë në “E Drejtë Europiane dhe e Kontratave”, me elementët e mësipërm, të mos akreditohet. 

 

KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË