Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 214, datë 16.12.2016 PËR AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË TRETË, DOKTORATË NË “SHKENCA FARMACEUTIKE”, TË UNIVERSITETIT PRIVAT “ALBANIAN UNIVERSITY”

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 214, datë 16.12.2016
PËR
AKREDITIMIN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË TRETË, DOKTORATË NË “SHKENCA FARMACEUTIKE”, TË UNIVERSITETIT PRIVAT “ALBANIAN UNIVERSITY”

 

Këshilli i Akreditimit, bazuar në nenin 138 të Ligjit Nr.80 datë 17.09.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” , Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Vendimin Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar, dhe mbështetur në procedurën e ndjekur nga APAAL, raportin e vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm si dhe dokumentacionin mbështetës, për programin e studimit Doktoratë në “Shkenca farmaceutike”, me elementët si më poshtë:
 

a)      Emërtimi i programit: Doktoratë në “Shkenca farmaceutike”

b)      Cikli i studimit: Cikli i tretë

c)      Akti zyrtar i hapjes/licencimit: Urdhër i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 68 datë 12.02.2013

d)      Institucioni që e ofron*: Universiteti Privat “Albanian University”

e)      Fakulteti përgjegjës: Fakulteti i Shkencave Mjekësore

f)       Kohëzgjatja (Vite/semestra): së paku 3 vite

g)      Kredite (ECTS): 60 Kredite (viti i formimit teorik)

h)      Forma e studimit: Nuk përcaktohet

i)       Statusi i diplomës: ofrohet vetëm nga Universiteti Privat “Albanian University”

j)       Niveli i diplomës në kuadrin e Kornizës Shqiptare të kualifikimeve: Niveli 8


VENDOSI:

 

1.      Programi i studimit të ciklit të tretë Doktoratë në “Shkenca farmaceutike” i Universitetit Privat “Albanian University” nuk i përmbush kriteret ligjore dhe “Standardet Shtetërore të Cilësisë” për akreditimin e programeve të studimit të ciklit të tretë, doktoratë, me argumentet e mëposhtme:

a.       Stafi akademik me kohë të plotë për mbulimin e disiplinave teorike është i pamjaftueshëm dhe nuk mbulon shkallën e kërkuar në masën 60 %. Stafi i brendshëm i angazhuar në pjesën më të madhe nuk është i specializuar në fushën e programit. Disa anëtarë të stafit akademik të përfshirë në këtë program dëshmojnë nivel të pamjaftueshëm të publikimeve shkencore në nivel ndërkombëtar.

b.      Në disa raste ka mospërputhje të fushës së ekspertizës së udhëheqësve me temat e doktoratave nën udhëheqje.

c.       Asnjë nga temat e doktoratës nuk është eksperimentale apo e mbështetur në aktivitet kërkimor farmaceutik sikurse kërkohet për programe doktorate të këtij lloji, duke mos zhvilluar njohuri të thelluara dhe aftësi kërkimore tek studentët në këtë program.

d.      Angazhimi i studentëve me kohë të plotë në veprimtari jashtë Institucionit e bën të vështirë frekuentimin me kohë të plotë (sikurse deklarohet) të këtij programi nga ana e tyre.

e.       Produktivitet i ulët dhe publikime të pakta shkencore të mirëfillta nga ana e studentëve të këtij programi.

f.        Roli dhe funksioni i bashkëpunëtorëve individualë apo institucioneve bashkëpunuese nuk është i mirëpërcaktuar dhe nuk evidentohet angazhim apo produkt konkret në realizimin e programit të studimit.

g.      Pamjaftueshmëri e laboratorëve kërkimorë në mjediset e këtij Institucioni.

h.      Laboratorët kërkimorë dhe biblioteka e vetë Institucionit nuk mbështet mjaftueshëm veprimtaritë praktike të studentëve të doktoratës.

i.        Programi i doktoratës nuk mbulohet sa duhet me fonde për veprimtaritë kërkimore dhe mungojnë grante të dedikuara për këtë qëllim, duke detyruar që këto veprimtari të kryhen nga studentët jashtë Institucionit. Pamjaftueshmëria në financimin e këtij programi reflektohet dhe në mungesën e mbështetjes së studentëve për trajnime dhe mobilitet të tyre brenda dhe jashtë vendit.

2.      Mbështetur në gjithë sa më sipër, Këshilli i Akreditimit vendos të japë për këtë program studimi vlerësim negativ.

3.      Mbështetur në sa më sipër, Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit që, programi i studimit, Doktoratë në “Shkenca farmaceutike” me elementët e mësipërm, të mos akreditohet.
 

KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË