Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 220, datë 16.12.2016 PËR VLERËSIMIN NË KUADËR TË HEQJES SË KUSHTEVE TË AKREDITIMIT PËR PROGRAMIN E INTEGRUAR TË STUDIMIT TË CIKLIT TË DYTË, MASTER I SHKENCAVE NË “FARMACI”, TË AKADEMISË SË STUDIMEVE TË APLIKUARA “REALD”

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
VENDIM
Nr. 220, datë 16.12.2016
PËR
VLERËSIMIN NË KUADËR TË HEQJES SË KUSHTEVE TË AKREDITIMIT PËR PROGRAMIN E INTEGRUAR TË STUDIMIT TË CIKLIT TË DYTË, MASTER I SHKENCAVE NË “FARMACI”, TË AKADEMISË SË STUDIMEVE TË APLIKUARA “REALD”
 

Këshilli i Akreditimit, bazuar në nenin 138 të Ligjit Nr. 80 datë 17.09.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për Arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 424, datë 02.06.2010 “Për miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë” i ndryshuar dhe mbështetur në raportin e vlerësimit të plotësimit të kushteve si dhe në dokumentacionin mbështetës, për programin e integruar të studimit të ciklit të dytë, Master i Shkencave në “Farmaci”, të Akademisë së Studimeve të Aplikuara “REALD”

VENDOSI:


1.      Akademia e Studimeve të Aplikuara “REALD”, i ka plotësuar kushtet e vëna në Urdhërin e Ministrit të Arsimit dhe Sportit Nr. 399, datë 22.07.2016, për programin e integruar të studimit të ciklit të dytë, Master i Shkencave në “Farmaci”.

2.      Mbështetur në gjithë sa më sipër, Këshilli i Akreditimit jep vlerësim përfundimtar pozitiv për programin e integruar të studimit të ciklit të dytë, Master i Shkencave në “Farmaci”, të Akademisë së Studimeve të Aplikuara “REALD” dhe rekomandon heqjen e kushteve të akreditimit sipas Urdhërit të Ministrit të Arsimit dhe Sportit Nr. 399, datë 22.07.2016. 

3.      Institucioni do të monitorohet nga APAAL dhe KA për të garantuar qëndrueshmërinë e përmirësimeve të reflektuara në kuadër të plotësimit të kushteve dhe veçanërisht ato që lidhen me zbatimin konkret të kurrikulës së përmirësuar, qëndrueshmërinë e stafit akademik efektiv dhe të laboratorëve mësimorë për realizimin e këtij programi studimi. Për sa më lart, IAL, duhet të raportojë pranë APAAL brenda vitit akademik 2016-2017.

4.      Këshilli i Akreditimit i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe Sportit që programi i integruar i studimit të ciklit të dytë, Master i Shkencave në “Farmaci”, i Akademisë së Studimeve të Aplikuara “REALD”, të akreditohet.

KËSHILLI I AKREDITIMIT TË ARSIMIT TË LARTË