KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 248 datë 16.09.2011
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:
1. DIDAKTIKË
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programin e ri të Studimit Master Profesional, të kërkuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Didaktikë”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat:
·Emërtimi Master Profesional në “Didaktikë” është përgjithësues dhe ka nevojë të specifikohet për të orientuar qartë specialitetin e diplomës në përputhje me nevojat e tregut të punës në sektorët përkatës të edukimit brenda dhe jashtë vendit.
·Mungojnë marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet e deklaruara nga IAL.
·Misioni dhe objektivat e PS nuk janë formuluar qartë. Pritshmëritë profesionale dhe arritjet e kualifikimit të nevojshëm përmes PS nuk janë shprehur në mënyrë të plotë.
·Mënyra e formulimit të mundësive të punësimit për të diplomuarit në këtë program studimi, ka nevojë të përmirësohet nga ana kuptimore dhe gjuhësore.
·Referuar praktikës profesionale, elemetit kyç të PS, vërehet se gjendet një mospërputhje deklarimesh që rrisin konfuzionin rreth garancisë së PS për të arritur standardet e kërkuara në trajnimin profesional të të diplomuarve.
·Në programin disiplinor të emërtuar “Praktikë Shkollore e Mësimdhënies”, nuk cilësohet si destinacion praktikimi as shkolla 9-vjeçare as shkolla e mesme e përgjithshme, duke lënë të hapur çështjen se ku dhe si do të zhvillohen praktikat profesionale në këtë PS.
·Plani Mësimor i specifikuar nuk respekton shkallën e duhur si kriter linear i marrjes së informacionit që nënkupton se disa lëndë/module duhet të zhvillohen përpara disa lëndëve/moduleve të tjera.
·Në planin mësimor format e mësimdhënies nuk janë paraqitur për asnjë lëndë.
·Në planin mësimor, nuk vërehen diferenca në ndarjen e krediteve midis lëndëve.
·Raporti i ngarkesës mësimore në auditor me atë jashtë auditorit nuk është balancuar drejtë, duke i dhënë epërsi të madhe punës individuale të studentit të realizuar jashtë auditorit, më tepër nga çfarë rekomandohet si e përshtatshme për një program studimi.
·Një pjesë e konsiderueshme e syllabuseve kanë shabllonizuar njëra-tjetrën në përshkrimin e metodave të mësimdhënies dhe mënyrës së vlerësimit, pa marrë në konsideratë natyrën e veçantë të lëndës. Ndërsa një pjesë tjetër e tyre paraqesin probleme me redaktimin gjuhësor.
·Format dhe metodat e mësimdhënies të paraqitura në programet lëndore janë shabllonizuar pa respektuar veçoritë e secilës lëndë. Edhe programi i “Praktikës
shkollore të mësimdhënies” prezanton të njëjtat forma të mësimdhënies sikundër çdo lëndë tjetër me natyrë teorike e parashikuar në këtë PS.
·Një pjesë e konsiderueshme e syllabuseve rekomandojnë literaturë bazë dhe të këshilluar vetëm në gjuhë të huaj (veçanërisht në italisht) duke e bërë më pak të mundshme për t`u siguruar nga studentët dhe për t`u përdorur lehtësisht prej tyre.
·Një pjesë e konsiderueshme e programeve lëndore kanë pasqyruar një numër të pakët të temave mësimore krahasuar me numrin e orëve në auditor të parashikuar në Planin Mësimor. Disa programe janë përqëndruar vetëm në temat teorike dhe nuk kanë pasqyruar temat praktike.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master Profesional në Didaktikë të mos hapet
KËSHILLI i AKREDITIMIT