KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 249 datë 16.09.2011
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. MENAXHIM
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:
1. MARKETING
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Master i Shkencave, të kërkuara nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Menaxhim”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
· Plani mësimor nuk paraqitet i ndarë në semestra.
· Parashikohen në total më shumë provimeve se kriteri i Udhëzimit (jo më shumë se 14 provime).
· Ngarkesa total në auditor për Vitin e II nuk është në përputhjet me kriterin e Udhëzimeve (600-750 orë mësimore në auditor/vit).
· Ka mospërputhje të totalit të orëve në auditor dhe jashtë auditorit të paraqitur në planin mësimor.
· Nuk janë përcaktuar orët mësimor në auditor për Praktikën profesionale.
· Nuk është përcaktuar lista e diplomave për të cilat kërkohet plotësimi krediteve të mangëta.
· Mungojnë syllabuset e lëndëve “Metoda cilësore” dhe “Marrje vendimesh manaxheriale”.
· Syllabuset e lëndëve nuk janë paraqitur më të gjithë elementët përbërës të një syllabusi.
· Në disa syllabuse mungon ndarja e literaturës në bazë dhe ndihmëse.
· Në disa syllabuse ka mospërputhje të orëve mësimore në paraqitur në planin mësimor me ato të paraqitura në syllabus.
· Fakulteti duhet të krijojë bazën pedagogjike të nevojshme për këtë nivel mësimdhënie.
· Personeli akademik i angazhuar në këtë program studimi nuk ka akoma kualifikimin e mjaftueshëm, për të udhëhequr studime të nivelit të thelluar shkencor.
2. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Marketing”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Të paraqitet syllabus i lëndës “Treguesit matës të marketingut”.
· Të rregullohen mospërputhjet midis planit mësimor dhe syllabuseve të lëndëve për ngarkesën mësimore në auditor, jashtë auditorit dhe ECTS-ve.
· Të përputhet emërtimi i lëndës “marketing i eventeve dhe mjedisit” me atë të deklaruar në planin mësimor.
· Të paraqiten të dhëna për aksesin e literaturës së rekomanduar në gjuhë të huaj.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Menaxhim të mos hapet
Institucioni aplikues Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, për programin e studimit: MP në “Marketing”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.
KËSHILLI i AKREDITIMIT