Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc.) në:
1. SOCIOLOGJI
2. GAZETARI – KOMUNIKIM
3. MËSUESI ARSIMI PARASHKOLLOR
4. MËSUESI CIKLI I ULËT
5. GJUHË ANGLEZE
6. INFERMIERI
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. E DREJTË PENALE
2. INXHINIERI INFORMATIKE
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. INXHINIERI ELEKTRONIKE
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programeve të reja të studimit, Bachelor, Master i Shkencave dhe Master Profesional, të kërkuar nga Shkolla e Lartë Private “Vitrina”, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Sociologji”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Gazetari - Komunikim”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet e mëposhtme:
Të plotësohen syllabuset e lëndëve me pedagogun përkatës të lëndës.
Të paraqiten mënyra të ndryshme të metodologjisë së mësimdhënies për lëndët teorike dhe ato praktike.
Të paraqiten të dhëna për semestrin ose temat ku do të ketë të ftuar, ose emrat e të ftuarve, ashtu siç dhe deklarohet.
Të plotësohet syllbausi i lëndës “Komunikim ndërkulturor” me literaturë në gjuhën shqipe si dhe të plotësohet e të shtohet literaturë për lëndët si “Gjuha Angleze”; “Hyrje në logjikë”; “Hyrje në filozofi”.
Të rishihet literatura për “Praktikën profesionale” nisur nga fakti që është përcaktuar si lëndë edhe teorike.
Të sillen të dhëna për infrastrukturën që vë në dispozicion të studentëve Institucioni.
Të paraqiten të dhëna nëse kjo IAL e garanton i vetëm ose në bashkëpunim me institucione të tjera për zhvillimin e praktikave profesionale.
3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Mësuesi Arsimi Parashkollor”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
4. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Mësuesi Cikli i Ulët”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
5. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Gjuhë Angleze”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
6. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Infermieri”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
7. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “E Drejtë Penale”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
8. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Inxhinieri Informatike”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
Të jepen argumente të sakta për studimin e IAL për tregun e punës, strategjinë kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe punësimin në tërësi.
Të riorganizohet programi mësimor duke u fokusuar më shumë në formimin profesional e praktik të studentëve.
Të shtohen kreditet deri në 90 dhe kohëzgjatja e studimeve të bëhet deri në 18 muaj.
Të paraqitet personeli akademik i nevojshëm për realizimin e programit të studimit në çdo syllabus të programi të studimit.
Të vendosen kritere të veçanta përzgjedhjeje, regjistrimi dhe transferimi në të njëjtin program apo programe të përafërta me të.
Të rregullohen mospërputhja e ngarkesës mësimore e vërejtur në planin mësimor dhe syllabus për lëndën “Telekomunikacioni në fibrat optike”.
Të parashikohet mbrojtja e gjuhës angleze mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare sipas kriterit përkatës.
Të jepen të dhëna për infrastrukturën që vë institucioni në dispozicion të studentëve, stafit akademik etj.
Të jepen të dhëna për organizimin dhe zhvillimin e praktikës mësimore profesionale.
Të realizohen bashkëpunime me institucione të tjera për realizimin e praktikës profesionale.
Të paraqitet vendimi i Senatit dhe Këshillit për hapjen e programit të studimit.
9. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektronike”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
Të jepen argumente të sakta për studimin e IAL për tregun e punës, strategjinë kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe punësimin në tërësi.
Të jepet detaje të qarta dhe argumenta bindës për realizimin e praktikës profesionale të studentëve.
Të jepen të dhëna për organizimin dhe realizimin e temës së diplomës.
Të jepen të dhëna të detajuara (CV dhe aktiviteti i detajuar shkencor) për stafin akademik përgjegjës dhe udhëheqësit e diplomës.
Të paraqitet personeli akademik për çdo syllabus, titullari dhe asistenti i lëndës/modulit.
Të jepet ngarkesa e plotë vjetore e personelit akademik përgjegjës për këtë program studimi për të gjykuar më mirë për gatishmërinë e personelit akademik në mësimdhënie, udhëheqje diplomash, etj.
Të vendosen kritere të veçanta përzgjedhjeje, regjistrimi dhe transferimi në të njëjtin program apo programe të përafërta me të.
Të paraqitet literatura bazë dhe ndihmëse për lëndën “Gjuhë e Huaj”.
Të paraqiten të dhëna për Koordinatorin e programit të studimit.
Të parashikohet mbrojtja e gjuhës angleze mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare sipas kriterit përkatës.
Të përcaktohet numri maksimal i studentëve në lidhje me udhëheqjen e studentëve.
Të parashikohen politika bashkëpunuese me institucione të tjera për rritjen e cilësisë në mësimdhënie e kërkim shkencor.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në Sociologji
të hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Gazetari - Komunikim
të hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Mësuesi Arsimi Parashkollor
të hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Mësuesi Cikli i Ulët
të hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Gjuhë Angleze
të hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Infermieri
të hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në E Drejtë penale
të hapet
Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Private “Vitrina”, për programet e studimit: Master Profesional në “Inxhinieri Informatike” dhe Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektronike”, pasi të jenë plotësuar kushtet e mësipërme, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërm.
Z. Vladimir Nika nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje.