Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 3 datë 17.02.2009 - SHLUP "UFO Dental"

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM Nr. 3 datë 17.02.2009

 

Për akreditimin e Departamentit të Shkencave Politiko-Administrative dhe të Programit të studimit Shkenca Politiko-Administrative, të Shkollës së Lartë Universitare Private UFO Dental.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin institucional të Departamentit të Shkencave Politiko - Administrative dhe të Programit të studimit Shkenca Politiko - Administrative të Shkollës së Lartë Universitare Private ‘UFO Dental’, të kryer në periudhën shkurt – shtator 2008, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm dhe në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin kritereve bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këto përfundime:
a. Veprimtaria e Institucionit është e ligjshme dhe e mbështetur në dokumente themelorë.
b. Drejtimi administrativ dhe menaxhimi i Institucionit është mjaft i mirë.
c. Mekanizmat e garantimit të cilësisë dhe të vlerësimit të dijeve janë funksionalë, realizohet monitorim i vazhdueshëm i tërë procesit të mësimit.
d. Lëndët janë të mbuluara me literaturë dhe leksione të shkruara dhe Institucioni kryen botime dhe përkthime.
e. Infrastruktura në tërësi është e përshtatshme për realizimin efikas të procesit mësimor dhe funksionon sistemi i informimit të studentëve.
f. Studentët janë përkrahur me bursa dhe u janë krijuar kushte për veprimtari të tjera ekstra kurrikulare.
Këshilli i Akreditimit vëren se ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme, dhe, për këtë qëllim rekomandon:
a. Të ndahen përgjegjësitë ndërmjet organeve kolegjiale akademike dhe drejtimit administrativ, në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë.
b. Titulli i diplomës të jetë në përputhje me përmbajtjen e programit të studimeve duke bërë edhe një harmonizim më të mirë të lëndëve të formimit të përgjithshëm me atë të formimit të fushës.
c. Të plotësohet dokumentacioni mbi gjendjen e stafit akademik (numri dhe kualifikimi i tij në raport me kërkesat e standardeve përkatëse) dhe të hartohet një plan masash për zhvillimin profesional dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së tij.
d. Të përsosen mekanizmat për garantimin e brendshëm të cilësisë. Anëtarët e grupit të vetëvlerësimit të jenë të paanshëm dhe objektivë.
e. Transferimi i studentëve të bëhet në përputhje me rregulloren e programit të studimeve.
f. Të hartohet nga Departamenti një plan zhvillimor për kërkimin shkencor dhe të parashikojë buxhet.
g. Të merren masat nga Institucioni për vendosjen e këshilltarëve akademikë për studentët.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Institucioni:Departamenti i shkencave Politiko - Adminstrative i Shkollës së Lartë Universitare Private UFO Dental të akreditohet me kusht.
Programi i studimit: Shkenca Politiko - Adminstrative të akreditohet me kusht.
Detyrimet që duhet të përmbushë Shkolla e Lartë Universitare Private UFO Dental në zbatim të rekomandimeve të mësipërme, brenda periudhës 1-vjeçare, përmbahen në planin e veprimit të APAAL-it që i bashkënjgjitet këtij Vendimi. Mosplotësimi i tyre do të çojë në mosakreditimin institucional dhe të programit të studimit.

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT