Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 303, datë 13.01.2012, Institucioni “Shkolla e Lartë Private Mesdhetare e Shqipërisë”

Për akreditimin Institucional dhe Programeve të Studimit që përfundojnë me “Bachelor Ekonomi, me profile: Financë-Bankë dhe Kontabilitet; Administrim Biznesi; Biznes dhe Ligj”; “Bachelor Marrëdhënie Ndërkombëtare/ Diplomaci”; “Bachelor Shkenca Politike – Administratë publike, me profile: Administratë publike; Shkenca Politike”, të Institucionit “Shkolla e Lartë Private Mesdhetare e Shqipërisë”.

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin Institucional dhe Programeve të Studimit që përfundojnë me “Bachelor Ekonomi, me profile: Financë-Bankë dhe Kontabilitet; Administrim Biznesi; Biznes dhe Ligj”; “Bachelor Marrëdhënie Ndërkombëtare/ Diplomaci”; “Bachelor Shkenca Politike – Administratë publike, me profile: Administratë publike; Shkenca Politike”, të Institucionit “Shkolla e Lartë Private Mesdhetare e Shqipërisë”, të kryer në periudhën Dhjetor 2011, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.

Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi Institucioni dhe programet e studimit, i kanë përmbushur objektivat e tyre formues, por kanë edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim

REKOMANDON:

Për Institucionin “Shkolla e Lartë Private Mesdhetare e Shqipërisë”.
 Të shtohet personeli akademik me kohë të plotë, në përputhje me standardet shtetërore të cilësisë (së paku 70% e personelit akademik të jetë i punësuar me kohë të plotë).
 Të konsolidohen njësitë e brendshme administrative.
 Të shikohet mundësia për të përfshirë studentët në kërkimin shkencor.
 Të parashikohen plane zhvillimi në mënyrë që të përballohet konkurrenca në rritje e tregut privat të arsimit të lartë.
 Të hartohen strategji për rekrutimin e studentëve.


Për programin e studimit “Bachelor Shkenca Politike – Administratë publike, me profile: Administratë publike; Shkenca Politike”.
 Përmirësimi dhe azhornimi i programit të studimit dhe profileve të tij të kryhen në vazhdimësi, duke u bazuar në literaturat më bashkëkohore dhe të autorëve të njohur të vendit dhe botërorë.
 Të shikohet mundësia e rritjes së numrit të pedagogëve me kohë të plotë, të rekrutohen personel akademik me tituj/grada shkencore përkatëse dhe të bashkëpunohet me pedagogët aktualë (të cilët në një periudhe 1-3 vjeçare të jenë pajisur me tituj/grada shkencore).
 Të përfshihen në planin mësimor për këtë program studimi, të paktën dy lëndë me zgjedhje për çdo profil.
 Të parashikohen mënyra për të tërhequr student të rinj dhe me rezultate të larta.

Për programin e studimit “Bachelor Marrëdhënie Ndërkombëtare/ Diplomaci”
 Të shikohet mundësia që në planin mësimor të këtij programi studimi, të zgjerohet lista e lëndëve me zgjedhje.
 Të pasurohet bibloteka me tituj dhe autorë me një identitet shkencor të konsoliduar.
 Të vendoset si kriter specifik për pranimin e studentëve, gjuha e huaj angleze.
 Të synohet rekrutimi i personelit akademik me kohë të plotë dhe të pjesshme, në favor të të parëve.
 Të synohet rritja e nivelit të bashkëpunimit me grupet e interesit dhe sektorin publik.
 Të synohet rritja e debatit shkencor në shkallë institucioni dhe në rang vendi.

Për programin e studimit “Bachelor Ekonomi, me profile: Financë-Bankë dhe Kontabilitet; Administrim Biznesi; Biznes dhe Ligj”.
 Të përfshihet në planin mësimor edhe një lëndë me zgjedhje për vitin e parë dhe të dytë, për profilet Financë-Bankë dhe Kontabilitet; Administrim Biznesi.
 Të shikohet mundësia që për profilet: Financë-Bankë dhe Kontabilitet; Administrim Biznesi, në vitin e tretë të studimeve, të shtohen disiplina siç janë “Kontrolli i brendshëm” dhe “Auditimi në shërbimet e sigurisë”.
 Per profilin Biznes dhe ligj, të shikohet mundësia për të zgjeruar disi më tej aspektin e trajtimit të ligjeve e rregullave duke përfshirë në mënyrë më të zgjeruar, çështjet e falimentimit, legjislacionin në funksionimin e entiteteve në industritë e rregulluara, me përfshirjen e këtyre tematikave në studimet e ciklit të dytë.
 Të parashikohen plane zhvillimi në mënyrë që të përballohet konkurenca në rritje e tregut privat të arsimit të lartë.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Akreditimin Institucional të Institucionit “Shkolla e Lartë Private Mesdhetare e Shqipërisë”.

Programi i Studimit: Bachelor Ekonomi, me profile:
a. Financë-Bankë dhe Kontabilitet
b. Administrim Biznesi
c. Biznes dhe Ligj
të akreditohet.

Programi i Studimit: Bachelor Marrëdhënie Ndërkombëtare/ Diplomaci
të akreditohet.

Programi i Studimit: Bachelor Shkenca Politike – Administratë publike, me profile:
a. Administratë publike
b. Shkenca Politike
të akreditohet.


Zj. Anila Hoda dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.