Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 307, datë 16.03.2012, Univeristeti Politeknik i Tiranës

Për Programin e Studimit të Ciklit të Parë që përfundon me Bachelor (B.Sc) në:
1. INXHINIERI GJEOMJEDISI

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për Programin e Ri të Studimit “Bachelor në Inxhinieri Gjeomjedisi”, të kërkuar nga Universiteti Politeknik i Tiranës, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bachelor në “Inxhinieri Gjeomjedisi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Të parashikohen orë mësimore në auditor për praktikën profesionale dhe të paraqitet ngarkesa në ECTS jo e bashkuar me Punimin e diplomës.
 Të paraqiten orët në auditor të ndara sipas formave të mësimdhënies.
 Të plotësohen syllabuset e lëndëve me elementët si: objektivat e lëndës; orët në auditor; temat e lëndëve të zgjerohen; detyrimet e studentit për lëndën dhe të ndahet literatura në bazë dhe ndihmëse.
 Të paraqiten CV e personelit akademik.
 Të paraqiten të dhëna për Komitetin shkencor.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Institucioni aplikues “Universiteti Politeknik i Tiranës”, për programin e studimit: Bachelor në “Inxhinieri Gjeomjedisi”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.


Z. Vladimir Nika nuk ishte i pranishëm në mbledhje.