Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 323, datë 16.03.2012, Shkolla e Lartë Universitare Private “New York University of Tirana”

Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me “Master i Shkencave në E Drejtë Ndërkombëtare dhe Tregtare”; “Master i Shkencave në Shkenca Kompjuterike” dhe “Master i Shkencave Marrëdhënie Ndërkombëtare”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “New York University of Tirana”.

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me “Master i Shkencave në E Drejtë Ndërkombëtare dhe Tregtare”; “Master i Shkencave në Shkenca Kompjuterike” dhe “Master i Shkencave Marrëdhënie Ndërkombëtare”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “New York University of Tirana”, të kryer në periudhën Dhjetor 2011, mbështetur në raportet e vetëvlerësimit, raportet e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.

Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programet e studimit, i kanë përmbushur objektivat e tyre formues, por kanë edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim

REKOMANDON:

Për programin e studimit “Master i Shkencave në E Drejtë Ndërkombëtare dhe Tregtare”.
 Të ndërtohet sa më shpejtë një kampus për të partur një shkolle sa më cilësore por edhe me kushte normale për zhvillimin e mësimit.
 Të vihet theksi më shumë në aspekte të ligjit dhe praktikës Shqiptare, duke përfshirë një trajtim më të zgjeruar të ligjeve shqiptare të lëmive përkatëse si dhe praktikën e gjykatave.

Për programin e studimit “Master i Shkencave në Shkenca Kompjuterike”.
 Të përmirësohet cilësia e studentëve të pranuar në këtë program studimi.
 Të shtohet numri i personelit akademik me kohë të plotë.
 Të ndërtohet një kampus për studentët pasi në këtë mënyrë UNYT ka mundësi të ketë valencë kombëtare apo edhe rajonale (Ballkanike).

Për programin e studimit “Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare”.
 Të shtohet numri i personelit akademik me kohë të plotë.
 Të ndërtohet një kampus për studentët.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Programi i Studimit: Master i Shkencave në E Drejtë Ndërkombëtare dhe Tregtare
të akreditohet.

Programi i Studimit: Master i Shkencave në Shkenca Kompjuterike
të akreditohet.

Programi i Studimit: Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare
të akreditohet.

Z. Vladimir Nika nuk ishte i pranishëm në mbledhje.