Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 330, datë 08.06.2012, Shkolla e Lartë Universitare Private “Instituti Kanadez i Teknologjisë”.

Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. INXHINIERI INDUSTRIALE
2. INXHINIERI SOFTUERIKE
3. ADMINISTRIM BIZNESI

Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
4. INXHINIERI INDUSTRIALE
5. INXHINIERI SOFTUERIKE
6. ADMINISTRIM BIZNESI

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit, Master Profesional dhe Master i Shkencave, të kërkuara nga Shkolla e Lartë Universitare Private “Instituti Kanadez i Teknologjisë”, Tiranë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1. Përmbajtja e Programeve të reja të studimit, Master Profesional në “Inxhinieri Industriale”; Master Profesional në “Inxhinieri Softuerike”; Master i Shkencave në “Inxhinieri Industriale” dhe Master i Shkencave në “Inxhinieri Softuerike”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Të saktësohen objektivat e këtyre programeve duke bërë një diferencim të qartë ndërmjet objektivave të Masterit Shkencor dhe atij të Masterit Profesional.
 T’u bashkangjiten dosjeve të programeve Master të paraqitura edhe plani mësimor i programit të nivelit Bachelor me të njejtin emër (Inxhinieri Industriale), të ofruar nga Institucioni dhe të zbatuar aktualisht.
 Të tregohet se cilave nevoja të tregut të punës synojnë t’u përgjigjen formimet që ofrojnë këto dy programe dhe të specifikohen funksionet apo detyrat që mendohet se do të jetë i aftë të kryejë zotëruesi i diplomave përkatëse.
 Të dalë qartë nëse programet e paraqitura do të realizohen në bashkëpunim me ndonjë institucion të huaj apo jo; nëse po, të paraqiten dokumenta që e vërtetojnë këtë bashkëpunim.
 Të cilësohet gjuha në të cilën do të zhvillohen këto programe (dokumentacioni i dosjes paraqitet pjesërisht në shqip dhe pjesërisht në anglisht).
 Të saktësohen kërkesat/kriteret për studentët që do të ndjekin këto programe, si lidhur me tipin e diplomës bachelor që duhet të zotërojnë, ashtu edhe me nivelin e gjuhës angleze.
 Të korrigjohen dhe plotësohen planet mësimore me elementwt: Të gjitha emërtimet e pasqyruara në planin mësimor (përfshirë edhe ato të lëndëve/syllabuseve) të përkthehen në shqip; Të diferencohen planet mësimore të masterit profesional dhe atij shkencor jo vetëm nga numri i lëndëve (që rezultojnë të gjitha me përmbajtje identike për të dy masterat!), por edhe nga natyra e tyre (lëndë me orientim më praktik dhe me përmbajtje shkencore relativisht më pak të thelluar; e kundërta vlen për masterin shkencor); Të plotësohen të gjitha elementet e formave të mësimdhënies; Të bëhet një rishpërndarje e lëndëve në mënyrë të tillë që ngarkesa vjetore në kredite dhe orë auditori të respektojë kufirin minimal prej 600 orësh; Të parashikohen më shumë orë laboratori, bazuar në specifikat e këtyre programeve; Të specifikohet ngarkesa në orë e parashikuar për praktikën dhe mikrotezën; Të evitohet ngarkimi i pedagogëve të jashtëm me dhënien e më shumë se dy lëndëve; Të dallohen qartë objektivat (synimet) e çdo lënde nga përshkrimi i përmbajtjes së saj, duke i kushtuar rëndësi formulimit të drejtë të objektivave duke specifikuar aftësitë dhe kompetencat që synohet të arrijë studenti nga përvetësimi i disiplinës përkatëse; Të plotësohet literatura e çdo syllabusi me të paktën një tekst bazë dhe një tjetër ndihmës.
 Të plotësohen të dhënat për mjediset dhe infrastrukturën, duke specifikuar edhe kapacitetin e tyre në numër studentësh.
 Për të dy masterat, në veçanti për atë profesional, duhet të jepen të dhëna për atë se si është menduar të realizohet aftësimi profesional, si dhe mbi ndërmarrjet ku parashikohet të kryhet praktika (intershipi).

2. Përmbajtja e Programeve të reja të studimit, Master Profesional në “Administrim Biznesi” dhe Master i Shkencave në “Administrim Biznesi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Të saktësohen objektivat e këtyre programeve duke bërë një diferencim të qartë ndërmjet objektivave të Masterit Shkencor dhe atij të Masterit Profesional.
 T’u bashkangjiten dosjeve të programeve Master të paraqitura edhe plani mësimor i programit të nivelit Bachelor me të njejtin emër (Administrim Biznesi), të ofruar nga Institucioni dhe të zbatuar aktualisht.
 Të tregohet se cilave nevoja të tregut të punës synojnë t’u përgjigjen formimet që ofrojnë këto dy programe dhe të specifikohen funksionet apo detyrat që mendohet se do të jetë i aftë të kryejë zotëruesi i diplomave përkatëse.
 Të dalë qartë nëse programet e paraqitura do të realizohen në bashkëpunim me ndonjë institucion të huaj apo jo; nëse po, të paraqiten dokumenta që e vërtetojnë këtë bashkëpunim.
 Të saktësohen kërkesat/kriteret për studentët që do të ndjekin këto programe, si lidhur me tipin e diplomës bachelor që duhet të zotërojnë, ashtu edhe me nivelin e gjuhës angleze.
 Të korrigjohen dhe plotësohen planet mësimore me elementwt: Të gjitha emërtimet e pasqyruara në planin mësimor (përfshirë edhe ato të lëndëve/syllabuseve) të përkthehen në shqip; Të diferencohen planet mësimore të masterit profesional dhe atij shkencor jo vetëm nga numri i lëndëve (që rezultojnë të gjitha me përmbajtje identike për të dy masterat!), por edhe nga natyra e tyre (lëndë me orientim më praktik dhe me përmbajtje shkencore relativisht më pak të thelluar; e kundërta vlen për masterin shkencor); Të plotësohen të gjitha elementët e formave të mësimdhënies; Të bëhet një rishpërndarje e lëndëve në mënyrë të tillë që ngarkesa vjetore në kredite dhe orë auditori të respektojë kufirin minimal prej 600 orësh; Të specifikohet ngarkesa në orë e parashikuar për praktikën dhe mikrotezën; Të evitohet ngarkimi i pedagogëve të jashtëm me dhënien e më shumë se dy lëndëve; Të dallohen qartë objektivat (synimet) e çdo lënde nga përshkrimi i përmbajtjes së saj, duke i kushtuar rëndësi formulimit të drejtë të objektivave duke specifikuar aftësitë dhe kompetencat që synohet të arrijë studenti nga përvetësimi i disiplinës përkatëse; Të plotësohet literatura e çdo syllabusi me të paktën një tekst bazë dhe një tjetër ndihmës.
 Të plotësohen të dhënat për mjediset dhe infrastrukturën, duke specifikuar edhe kapacitetin e tyre në numër studentësh.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Universitare Private “Instituti Kanadez i Teknologjisë”, për programet e studimit: Master Profesional në “Inxhinieri Industriale”; Master Profesional në “Inxhinieri Softuerike”; Master i Shkencave në “Inxhinieri Industriale”; Master i Shkencave në “Inxhinieri Softuerike”; Master Profesional në “Administrim Biznesi” dhe Master i Shkencave në “Administrim Biznesi”, pasi të jenë plotësuar kushtet e mësipërme, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.

Zj. Anila Hoda; Z.Vladimir Nika; Zj. Edlira Late dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.