Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc) në:
1. MARKETING NDËRKOMBËTAR DHE MENAXHIM LOGJISTIK
2. INXHINIERI ELEKTRONIKE DHE KOMUNIKACIONI
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc) në:
1. INXHINIERI ELEKTRONIKE DHE KOMUNIKACIONI
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programeve të reja të studimit, Bachelor dhe Master i Shkencave, të kërkuara nga “Universiteti EPOKA”, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Marketing Ndërkombëtar dhe Menaxhim Logjistik”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësimin përfundimtar:
Kushtet:
Të paraqitet një material dhe dokumentacion më i plotë ku të jepet më qartë vizioni dhe misioni i IAL lidhur me këtë program studimi, si dhe të përcaktohet më qartë forma e studimit që do të jetë me kohë të plotë apo jo.
Të paraqitet në material informacion mbi tregun potencial të punës apo ndonjë studim real tregu të IAL në përputhje me synimet strategjike të zhvillimit ekonomik kombëtar.
Të rregullohet dhe përshtatet ndarja e lëndëve në disiplinat A, B, C, D, E.
Të plotësohen syllabuset e lëndëve/moduleve me literaturën ndihmëse, dhe në ndonjë rast të veçantë edhe me literaturën bazë; literatura në raste të caktuara të paraqitet më e unifikuar: duke vendosur libra me autorë të njohur të vendit dhe të huaj dhe libra të kohëve të fundit; të jepet kualifikimi i pedagogut që do të zhvillojë lëndën dhe në mjaft lëndë pedagogët kryesorë zotërojnë vetëm gradën Master.
Të realizohet një korrespondim më i plotë i titullit të lëndës dhe temave përkatëse të saj, psh. për lëndën Menaxhimi Total i Cilësisë, etj.
Të sillen të plota CV-të e titullarëve të lëndëve dhe personelit akademik të angazhuar në mësimdhënie.
Të jepet më shumë informacion nga IAL mbi personelin ndihmës mësimor shkencor dhe administrativ të nevojshëm dhe të përshtatshëm për të ofruar në mënyrë cilësore realizimin e orëve laboratorike dhe për mirëmbajtjen e laboratorëve e mjediseve shkollore.
Të jepet më shumë informacion nga IAL mbi personelin e mjaftueshëm për instruktimin, udhëheqjen dhe mbikqyrjen e studentëve në praktikën profesionale dhe mbi garantueshmërinë e mjediseve të mjaftueshme të IAL për zhvillimin e praktikave profesionale, nga vetë ajo apo në bashkëpunim me institucione të tjera.
Të jepet më shumë informacion mbi përshtatshmërinë e auditorëve, klasave dhe mjediseve të tjera për realizimin e programit të studimeve.
2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Inxhinieri Elektronike dhe Komunikacioni”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektronike dhe Komunikacioni”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në Inxhinieri Elektronike dhe Komunikacioni
të hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Inxhinieri Elektronike dhe Komunikacioni
të hapet
“Universiteti EPOKA” për programin e studimit: Bachelor në “Marketing ndërkombëtar dhe menaxhim logjistik”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.
Zj. Anila Hoda; Z.Vladimir Nika; Zj. Edlira Late dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.