Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 333, datë 08.06.2012, Shkolla e Lartë Universitare Private “Medikadent”

Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc) në:
1. LABORANT MJEKËSOR
2. FIZIOTERAPI

Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:
1. INFERMIERISTIKË KLINIKE

Këshilli i Akreditimit, pasi rishqyrtoi propozimin për plotësimin e kushteve të lëna në VKA Nr. 318 datë 16.03.2012, të Programeve të reja të studimit Bachelor dhe Master Profesional, të kërkuar nga Shkolla e Lartë Universitare Private “Medikadent”, bazuar në raportin e vlerësimit në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:


1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Laborant Mjekësor”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet:
 Të paraqitet më qartë studimi real i tregut dhe synimet strategjike të zhvillimit ekonomik kombëtar.
 Të sillen CV-të e personelit akademik.
 Të paraqiten kontratat e bashkëpunimet me institucione e përmendura si ISHP dhe Poliklinikën e specialiteteve.
 Të paraqiten të dhëna për ambjentet që institucioni vendos në dispozicion të studentëve dhe planvendosjen e detajuar të kabineteve.


2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Fizioterapi”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet:
 Të paraqiten bashkëpunime me institucione përmendura si klinikën e dhimbjes dhe të poliklinikës së specialiteteve.
 Të sillen CV e personelit akademik.
 Të paraqiten kontratat e bashkëpunimet me institucione e përmendura si ISHP dhe Poliklinikën e specialiteteve.
 Të paraqiten të dhëna për ambjentet që institucioni vendos në dispozicion të studentëve dhe planvendosjen e detajuar të kabineteve.

3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Infermieristikë Klinike”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet:
 Të përshtaten lëndët/modulet duke mos u përsëritur me lëndët/modulet e diplomës Bachelor.
 Të përshtaten lëndët/modulet me formimin që duhet të kenë këta specialist dhe të jenë për drejtime më specifike ku infermierët do mund të punojnë.
 Të përshtaten lëndët/modulet në mënyrë të tillë që përveç informacionit që ato tejçojnë ti bëjnë studentët të aftë për të bërë kërkime dhe shfletojnë edhe literaturën bashkëkohore.
 Të sillen CV-të e personelit akademik.
 Të paraqiten kontratat e bashkëpunimet me institucione e përmendura si Spitalin Ushtarak dhe maternitetin Koco Gliozheni.


Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:


Programi i Studimit: Bachelor në Laborant Mjekësor
të hapet

Programi i Studimit: Bachelor në Fizioterapi
të hapet

Programi i Studimit: Master Profesional Infermieristikë Klinike
të hapet

Zj. Anila Hoda; Z.Vladimir Nika; Zj. Edlira Late dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.