Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 335, datë 08.06.2012, Shkolla e Lartë Universitare Private “Justiniani I”

Për akreditimin e Programit të Studimit që përfundon me Bachelor në “Diplomaci”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Justiniani I”.

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programit të Studimit që përfundon me Bachelor në “Diplomaci”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Justiniani I”, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.

Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programi i studimit, i përmbush objektivat formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim

REKOMANDON:
 Të plotësohen me të gjithë elementet syllabuset e seminareve.
 Të hartohet rregullorja e përfundimit të studimeve (modeli i suplimentit etj).
 Të zgjerohen kontigjentet e bibliotekës.
 Të hartohet udhëzuesi për praktikat profesionale në programin e studimit.
 Të punohet në drejtim të profilizimit më të dukshëm të programit të studimeve Bsc në Diplomaci kundrejt atij në Drejtësi.
 Të hartohen marrëveshje konkrete me universitetet e tjera brenda e jashtë vendit për të shkëmbyer edhe përvoja edhe studentë, të dokumentohen dhe publikohen ato.
 Të hartohen marrëveshje konkrete me aktorë të sektorit publik e privat për praktikat mesimore të studentëve, të dokumentohen dhe publikohen.


Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:


Programi i Studimit: Bachelor në “Diplomaci”
të akreditohet.

Zj. Anila Hoda; Z.Vladimir Nika; Zj. Edlira Late dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.