Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 336, datë 08.06.2012, Shkolla e Lartë Universitare Private “Luarasi”.

Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor në “Drejtësi” dhe Master Profesional në “Specialist/Jurist në Administratën Publike”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Luarasi”.

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor në “Drejtësi” dhe Master Profesional në “Specialist/Jurist në Administratën Publike”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Luarasi”, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.

Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programet e studimit, i kanë përmbushur objektivat formues, por kanë edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim

REKOMANDON:

Për programin e studimit “Bachelor në Drejtësi”
 Të përmirësohet raporti pedagog i brendshëm - pedagog i jashtëm.
 Të realizohet sigurimi i literaturës elektronike, veçanërisht të periodikëve.
 Të ndërtohet një bibliotekë elektronike.
 Të realizohet një program i qartë për mënyrën sesi do të realizohet kërkimi shkencor;
 Të bëhet një koordinim më i efektshëm ndërmjet departamenteve dhe NJSBC si për vjeljen e informacionit ashtu edhe për reflektimin mbi rezultatet e vlerësimit.

Për programin e studimit “Master Profesional në “Specialist/Jurist në Administratën Publike”
 Të përmirësohet raporti pedagog i brendshëm - pedagog i jashtëm.
 Të realizohet sigurimi i literaturës elektronike, veçanërisht të periodikëve.
 Të ndërtohet një bibliotekë elektronike.
 Të ndërtohet Komiteti Shkencor i programit të studimit Master.
 Të bëhet një koordinim më i efektshëm ndërmjet departamenteve dhe Zyrës së masterve për menaxhimin e programeve, për zgjidhjen e problemeve të studentëve dhe për përmirësimin e kurrikulave.
 Të bëhet një koordinim më i efektshëm ndërmjet departamenteve dhe NJSBC si për vjeljen e informacionit ashtu edhe për reflektimin mbi rezultatet e vlerësimit.
 Të sigurohet që studentët e këtij programi studimit duhet të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Programi i Studimit: Bachelor në “Drejtësi”
të akreditohet.

Programi i Studimit: Master Profesional në “Specialist/Jurist Administratën Publike”
të akreditohet.


Zj. Anila Hoda; Z.Vladimir Nika; Zj. Edlira Late dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.