Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 337, datë 08.06.2012, Shkolla e Lartë Private “Kristal”.

Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektronike”; Master i Shkencave në “Inxhinieri Informatike” dhe Master i Shkencave në “Inxhinieri e Teknologjive të Informacionit”, të Shkollës së Lartë Private “Kristal”.

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektronike”; Master i Shkencave në “Inxhinieri Informatike” dhe Master i Shkencave në “Inxhinieri e Teknologjive të Informacionit”, të Shkollës së Lartë Private “Kristal”, të mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.

Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programi i studimit, i përmbush objektivat formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim

REKOMANDON:

Për programin e studimit Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektronike”
 Të bëhet shumë përpjekje për tërheqjen në këtë program studimi të studentëve më cilësorë nga sistemi i studimeve Bachelor.
 Të bëhet më shumë përpjekje që të përmirësohet niveli i studentëve në dalje.
 Të sigurohet që studentët e këtij programi studimit duhet të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.

Për programin e studimit Master i Shkencave në “Inxhinieri Informatike” dhe Master i Shkencave në “Inxhinieri e Teknologjive të Informacionit”
 Të rriten përpjekjet për mbylljen sa më të shpejtë të titujve akademikë për stafin akademik që mbulon kurrikulat në drejtim Master i shkencave.
 Të lobohet pranë instancave qeveritare për të kërkuar rregulla të qarta loje ne tregun e arsimit të lartë, me objektiv tërheqjen e një numri shumë të madh studentësh.
 Të intensifikojë më tej përpjekjet për të organizuar seminare dhe konferenca periodike kombëtare dhe ndërkombëtare shkencore në fushën e informatikës dhe teknologjive të informacionit.
 Të sigurohet që studentët e këtij programi studimit duhet të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.


Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:


Programi i Studimit: Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektronike”
të akreditohet.

Programi i Studimit: Master i Shkencave në “Inxhinieri Informatike”
të akreditohet.

Programi i Studimit: Master i Shkencave në “Inxhinieri e Teknologjive të Informacionit”
të akreditohet.


Zj. Anila Hoda; Z.Vladimir Nika; Zj. Edlira Late dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.