Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 344, datë 13.07.2012, “American Albanian University”

Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc.) në:
1. ADMINISTRIM BIZNESI
2. EKONOMI

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit Bachelor, të kërkuara nga “American Albanian University”, Tiranë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Administrim Biznesi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Materiali i paraqitur përveç gjuhës angleze, të paraqitet dhe në gjuhën shqipe.
 Të paraqitet një material dhe dokumentacion më i plotë nga IAL për këtë program studimi dhe të jepet më qartë vizioni dhe misioni i IAL lidhur me këtë program studimi.
 Të përshtatet shpërndarja e krediteve sipas Ligjit për arsimin e lartë (neni 26) programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike.
 Të bëhet e mundur që numri total i provimeve të jetë në përputhje kriterin përkatës sipas ligjit shqiptar për arsimin e lartë.
 Të plotësohet plani mësimor me të gjitha format e mësimdhënies, duke u përcaktuar më qartë, të ndara në ngarkesë në auditor: leksione, praktikë; si dhe ngarkesë jashtë auditorit; si dhe të jepet më shumë informacion lidhur me raportin orë mësimi në auditor/punë e pavarur e studentit.
 Të rregullohet raporti midis pedagogëve dhe ngarkesës së tyre mësimore pasi 1 pedagog e ka emrin si titullar në 10-15 lëndë.
 Të paraqiten më shumë të dhëna për kriteret e regjistrimit të studentëve.
 Të paraqitet në material informacion mbi tregun potencial të punës apo ndonjë studim real tregu të IAL në përputhje me synimet strategjike të zhvillimit ekonomik kombëtar.
 Të rregullohet dhe të përshtatet ndarja e lëndëve në disiplinat A, C dhe D.
 Syllabuset e lëndëve/moduleve duhet të jenë më të plota e të plotësohen më mirë me literaturën bazë e ndihmëse, si dhe përdorimi i librave me autorë të njohur të vendit dhe të huaj dhe libra të kohëve të fundit pas viteve 2000.
 Të jepet më shumë informacion nga IAL mbi personelin ndihmës mësimor shkencor dhe administrativ të nevojshëm dhe të përshtatshëm për të ofruar në mënyrë cilësore realizimin e orëve laboratorike dhe për mirëmbajtjen e laboratorëve e mjediseve shkollore.
 Të paraqitet më shumë informacion nga IAL mbi personelin e mjaftueshëm për instruktimin, udhëheqjen dhe mbikqyrjen e studentëve në praktikën profesionale dhe mbi garantueshmërinë e mjediseve të mjaftueshme të IAL për zhvillimin e praktikave profesionale, nga vetë ajo apo në bashkëpunim me institucione të tjera.

2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Ekonomi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Të përshtatet shpërndarja e krediteve sipas Ligjit për arsimin e lartë (neni 26) programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike.
 Të paraqiten të dhëna për emrat e pedagogëve të angazhuar të paktën për vitin e parë akademik (sic kërkohet në rregullore) si dhe për stafin ndihmës.
 Të paraqiten marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet e tjera, pasi edhe pse janë deklaruar nuk janë të paraqitura në materiale.
 Të rregullohen të gjitha syllabuset me elementët që mungojnë si psh: semestri i zhvillimit të lëndës, mënyrat e mësimdhënies (leksione, seminare,laboratore) ndarja e ngarkesës së studentit në orë auditori apo punim individual.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Institucioni aplikues “American Albanian University”, për programet e studimit: Bachelor në “Administrim Biznesi” dhe Bachelor në “Ekonomi”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.


Z. Emil Lamani; Z. Shyqyri Llaci dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.