Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 346, datë 13.07.2012, Akademia e studimeve të aplikuara “REALD”

Për Programin e Studimit të Ciklit të Parë që përfundon me Bachelor (B.Sc.) në:
1. FIZIOTERAPI

Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc) në:
1. FINANCË
2. MENAXHIM

Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:
1. MENAXHIM INFERMIEROR

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit Bachelor në “Fizioterapi”; Master i Shkencave në “Financë”; Master i Shkencave në “Menaxhim” dhe Master Profesional në “Menaxhim Infermieror”, të kërkuara nga Akademia e studimeve të aplikuara “REALD”, Vlorë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Fizioterapi”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.

2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Financë”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Të plotësohen të dhënat për personelin efektiv akademik të përshtatshëm për të përballuar ngarkesat e parashikuara në këtë program masteri.
 Të parashikohen në të gjitha lëndët e plani mësimor, të paktën një detyrë kursi si element i domosdoshëm për studim të pavarur, për reflektim e analizë nga ana e studentit.
 Të bëhet një studim më i thelluar për kërkesat e tregut lokal e kombëtar të punës, për të qartësuar mundësitë reale të punësimit të kandidatëve që do të përfundojnë këtë master.
 Të realizohen bashkëpunime të institucionalizuara me insitucione të tjera.
 Të saktësohet lista e diplomave Bachelor që lejohen të pranohen në këtë program për t’u përshtatur më mirë me profilin e këtij masteri.
 Të saktësohet më mirë përmbajtja e programit të lëndës si p.sh: “Drejtim financiar i avancuar”.

3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Menaxhim”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
 Objektivat formuese të programit të studimit nuk janë të fokusuara. Ato synojnë paisjen me aftesi që të mbulojnë tregun lokal, kombëtar e ndërkombetar gjë që duket më e madhe sesa mund të arrihet me një program studimi në Menaxhim. Ka dy permasa në te cilat mungon koherenca: Përmasa lokale-ndërkombetare, dhe permasa manaxhim-financë/kontabilitet auditim financiar.
 Format e mësimdhënies dhe mësimnxënies nuk janë të pershtatshme për këtë nivel studimi.
 Nuk ka projekte nëpër lëndë, punë të pavarur në formë detyrash kërkimore individuale apo në grup. Gjithë mësimdhënia ka karakter përsëritës, pasi vlerësimi bëhet në 80% të notës me provim perfundimtar.
 Format e vlerësimit për çdo lëndë nuk jane te pershtatshme për këtë nivel studimi.
 Programi i studiit nuk është në përputhje me praktikën më të mirë kombëtare, as ndërkombëtare.
 Gjithe programi i studimit mbulohet me 4 mësimdhënës.
 Mungojnë CV e plota të personelit akademik që do të angazhohet në këtë program studimi.

4. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Menaxhim Infermieror”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Programi i Studimit: Bachelor në Fizioterapi
të hapet

Programi i Studimit: Master i Shkencave në Menaxhim
të mos hapet

Programi i Studimit: Master Profesional në Menaxhim Infermieror
të hapet

Institucioni aplikues Akademia e studimeve të aplikuara “REALD”, Vlorë, për programin e studimit: Master i Shkencave në “Financë”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.


Z. Emil Lamani; Z. Shyqyri Llaci dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.