Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 347, datë 13.07.2012, Shkolla e Lartë Universitare Private “Luarasi”

Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc.) në:
1. EKONOMIKS
2. ADMINISTRIM BIZNESI
3. FINANCË BANKË

Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc) në:
1. MENAXHIM EKZEKUTIV
2. BANKAT DHE TREGJET FINANCIARE

Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. E DREJTË BANKARE DHE FINANCIARE
2. KONTABILITET
3. FINANCË DHE MENAXHIM RISKU
4. MARKETING DHE REKLAMË

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit Bachelor; Master i Shkencave dhe Master Profesional, të kërkuara nga Shkolla e Lartë Universitare Private “Luarasi”, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Ekonomiks”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Të plotësohen të gjitha të dhënat në lidhje me stafin akademik dhe të jepen të dhëna të sakta për angazhimin e secilit person, për të cilin ka paraqitur CV.
 Të plotësohen të gjitha të dhënat në lidhje me stafin administrativ.
 Të plotësohen të gjitha syllabuset me objektivat dhe qëllimin, emrin e pedagogut që do të zhvillojë lëndën, planin kalendar të modulit (orët e planifikuara për të gjitha temat).
 Të ofrohet literaturë në shqip për lëndët: Bazat e Marketingut; Politikat Publike dhe Risku Publik; Tregjet Financiare; Financat nderkombëtare; Politikat Financiare dhe Monetare; Zhillimi I qëndrueshëm në teori dhe praktikë; Ekonomia e Punës; Demografi; Ekonomiksi i sektorit Publik.
 Të shikohet mundësia e shtrirjes së statistikës dhe futjen e lëndës së Ekonometrisë.
 Të rishihet ajo literaturë që nuk përputhet me programin e lëndës në Mikroekonomi dhe Makroekonomi, si dhe të rishihet ndarja e orëve midis temave në planin kalendar.
 Të shmangen mbivendosjet që vihen re në disa module, si p.sh Politikat publike&Risku Publik me Politikat Ekonomike, financiare dhe monetare; Financat Publike me Ekonomiksin e Sektorit Publik; lënda e tregjeve financiare me lëndën Politikat financiare dhe monetare.
 Të paraqitet marrëveshja e bashkëpunimit me Universita degli Studi di Pavia.

2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Administrim Biznesi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Të paraqitet një material dhe dokumentacion më i plotë nga IAL për programin e studimit dhe të jepet më qartë vizioni dhe misioni i IAL lidhur me këtë program studimi.
 Të paraqitet në material informacion mbi tregun potencial të punës apo ndonjë studim real tregu të IAL në përputhje me synimet strategjike të zhvillimit ekonomik kombëtar.
 Të plotësohet programi i studimit me lëndë bazë të tilla si Menaxhim Biznesi, Menaxhim Operacionesh etj, pasi është një program studimi në Administrim Biznesi.
 Të rregullohet dhe të përshtatet ndarja e lëndëve në disiplinat B, D, E.
 Të plotësohen syllabuset e lëndëve/moduleve me literaturën bazë e ndihmëse, si dhe përdorimi i librave me autorë të njohur të vendit dhe të huaj dhe libra të kohëve të fundit pas viteve 2000.
 Të përshtatet dhe të rregullohet në të gjitha syllabuset literatura bazë dhe ndihmëse, me të gjithë elementët e kërkuara, pasi në disa raste literatura paraqitet jo e plotë ose pa lidhje me lëndën përkatëse, psh. për lëndën Menaxhimi i Projekteve;
 Të paraqitet syllabusi i lëndës “Strategji Biznesi”.
 Të përcaktohen në syllabuset e lëndëve emrat e pedagogëve që do të japin lëndën, kualifikimet (gradat e titujt shkencorë) e pedagogëve.
 Të paraqitet më shumë informacion mbi personelin ndihmës mësimor shkencor dhe administrativ të nevojshëm dhe të përshtatshëm për të ofruar në mënyrë cilësore realizimin e orëve laboratorike dhe për mirëmbajtjen e laboratorëve e mjediseve shkollore.
 Të paraqitet më shumë informacion nga IAL mbi personelin e mjaftueshëm për instruktimin, udhëheqjen dhe mbikqyrjen e studentëve në praktikën profesionale dhe mbi garantueshmërinë e mjediseve të mjaftueshme të IAL për zhvillimin e praktikave profesionale, nga vetë ajo apo në bashkëpunim me institucione të tjera.

3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Financë Bankë”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
 Është e domosdoshme të mënjanohen disa mangësi në fushën e programeve (syllabuseve) si psh: Për shumicën e lëndëve nuk ka fare literaturë (përjashtuar leksionet e pedagogut) ose është parashikuar literaturë vetëm në gjuhë të huaj (të mos harrojmë se është fjala për nivelin bachelor).
 Disa lëndë kanë mangësi të përmbajtjes në programe, si psh: syllabusi i lëndës “Politikat financiare e monetare” nuk përmban tema për politikat financiare; në syllabuset e lëndëve ”Standartet Ndërkombëtare të Kontabilitetit”; “Menaxhimi i Institucioneve Financiare dhe Sigurimeve”; “Mbikëqyrja bankare” dhe “Tregjet financiare ”temat e programuara, përmbajtja e ekstraktit nuk përputhen tërësisht me temat e kursit.
 Në disa lëndë nuk përputhet emërtimi me literaturën e rekomanduar si psh, Në lëndën ”Menaxhimi i riskut” (literatura e rekomanduar në anglisht) i përket Investimeve dhe teorisë moderne të investimeve dhe të portofolit;
 Nuk ka një informacion për pedagogët e lëndëve si: Informatikë, Paraja dhe bankat dhe Politikat ekonomike.
 Mungon raporti ndërmjet pedagogëve efektivë dhe atyre me kohë të pjesëshme.
 Institucioni duhet të kishte përgatitur një studim për mundësitë reale të punësimit, pasi për shkak të pranisë në treg veçanërisht në Tiranë të disa IAL që përgatisin specialistët është e vështirë të saktësohet tregu potencial i punës për të diplomuarit në këtë PS.
 Nuk janë paraqitur marrëveshjet e bashkëpunimit me Università degli Studi di Pavia (Itali), me Credins Bank sh.a dhe me Kompaninë e Sigurimeve Sicred sh.a.
 Për elementët e ngarkesës mësimore, në ndonjë vend krijohet përshtypja se ndonjë element është vendosur formalisht. Kështu psh, në faqen 5 të ”Program i studimit të ciklit të parë Financë – Bankë” pranohet si element i PS ”laboratoret” ndërsa në planin mësimor (shih faqen 7 – 9 asnjëra prej disiplinave nuk ka të tillë!
 Nevojitet të rishikohet konceptimi i projekteve/detyrave të kursit. Programet e pothuajse të gjitha lëndëve parashikojnë projekte/detyra kursi por, ky element kompromentohet shumë nëse e katandisim në ”konspekt të një libri apo të një artikulli”! Të paktën lëndët e specialitetit duhet të kishin elementë të mirëfilltë të një projekti apo të një detyre kursi të vërtetë. Sipas këtij PS detyrat e kursit duket sikur janë parashikuar formalisht në programet e çdo lënde dhe nuk kanë as kredite dhe as peshën përkatëse në vlerësim meqenëse janë supozuar të përfshirë në “cilësinë e angazhimit në seminare”.

4. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “E Drejtë bankare dhe financiare”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar:
Kusht:
 Të shtohet të paktën një modul që lidhet me të Drejtën financare me qëllim që të balancohen të dy komponentet E Drejtë Bankare dhe e Drejtë Financiare, duke përmbushur në këtë mënyrë më së miri qëllimin që synon të realizojë ky Master profesional.

5. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Kontabilitet”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
 Programi i studimit i propozuar nuk është në përshtatje me nivelin e studimeve të ciklit të dytë.
 Programi i studimit i propozuar ofron një specializim të pamjaftueshëm për formimin e kompetencave dhe aftësive.
 Programi i studimit nuk garanton arsimim profesional në përputhje me nevojat e tregut të punës në fushën e kontabilitetit.
 Një pjesë e syllabuseve të lëndëve nuk janë të përshtatshme dhe në koherencë me objektivat formuese të programit në tërësi.
 Një pjesë e pedagogëve të propozuar nuk kanë eksperiencë akademike (shih CV-të bashkëlidhur propozimit).

6. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Financë dhe Menaxhim risku”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet e mëposhtme:
 Të rishikohen lëndët e zgjedhura me qëllim që të plotësojnë objektivin e këtij programi studimi në tregun e punës. Për shembull: lëndët e zgjedhura nuk plotësojnë njohuritë në funksion të sektorit të politikave fiskale e më tej; Lëndë për menaxhimin e riskut për t’iu përshtatur më mirë emërtimit të PS.
 Të përfshihen në planin mësimor më shumë lëndë për sektorin bankar.
 Të përcaktohet më qartë dhe të përputhen të dhëna për kriteret e pranimit në këtë program studimi.
 Të punohet më shumë në lidhje me syllabuset në drejtim të përmbajtjes dhe elementëve përkatës si literaturën, e cila në disa raste duhet të rishikohet për tu bazuar kryesisht në akademikë të njohur të fushës (të huaj apo vendas); të plotësohet; përshtatet dhe të specifikohet.
 Të realizohet ndarja e literaturë në bazë dhe ndihmëse.
 Të bëhet një shërndarje jo e njëjtë në lidhje me vlerësimin e studentit, numrin e detyrave të kursit, punën e pavarur të studentit, pasi nuk mund të jenë njësoj për të gjitha lëndët.
 Të përcaktohet më qartë detyrimet dhe puna e pavarur e studentit.
 Të rishikohen programet (temat) e parashikuara në përgjithësi në syllabuse; si p.sh “Strategji e korporatave financiare” dhe “Teori dhe institucione financiare”
 Të rishikohet vecanërisht programi pasi ka lëndë të cilat kanë përsëritje nga niveli Bachelor i programeve të studimit Financë Bankë dhe Administrim Biznesi.
 Të rregullohet syllabusi “Mikrofinancë” pasi nuk parashikohet asnjë temë konkrete për ndonjë institucion mikrofinance (SHKK, union Krediti, etj).
 Të rregullohet syllabusi i lëndës “Strategji financiare” me elementët si: Qëllimi në funksion të PS; Temat e parashikuara; Emërtimi i lëndës dhe literatura e sugjeruar.
 Të rregullohet papërshtatshmëria e temave që ekzistojnë midis lëndëve “Derivativet dhe alternativat e Investimit” dhe “Strategji e korporatave financiare”.

7. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Marketing dhe Reklamë”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.

8. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Menaxhim Ekzekutiv”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Të trajtohen aspekte më të thelluara në temat e lëndëve si: Menaxhim të burimeve njerëzore; Menaxhim strategjik; Inovacione; Menaxhim Marketingu, pasi të njëjta lëndë zhvillohen edhe në nivelin Bachelor.
 Të mos përfshihet në planin mëismor lënda “Planifikimi strategjik” pasi ajo trajtohet në lëndën “menaxhimi strategjik”.
 Të saktësohet lista emërore e stafit akademik me tituj dhe grada shkencore.
 Të rregullohen dhe të përshtaten syllabuset e lëndëve në përputhje me standardet përkatëse.

9. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Bankat dhe Tregjet financiare”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Të detajohen më shumë syllabuset e lëndëve, ku të përfshihen nën çështjet që do të trajtohet në çdo temë.
 Të plotësohet syllabuset e lëndëve me literaturë bazë dhe ndihmëse në shqip, e cila është në mbështetje të gjuhës që do të përdoret në këtë program studimi, si dhe në literaturen dytësore të përfshihen artikuj në shqip apo në gjuhe të huaj, të cilat i mundesojnë studentit të njihet me zhvillimet më të fundit në fushën përkatëse
 Të plotësohën të dhënat dhe profili i pedagogëve që do të angazhohen në zhvillimin e lëndëve te kategorise me C dhe D.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Programi i Studimit: Bachelor në Financë Bankë
të mos hapet

Programi i Studimit: Master Profesional në Kontabilitet
të mos hapet

Programi i Studimit: Master Profesional në Financë dhe Menaxhim Risku
të hapet

Programi i Studimit: Master Profesional në Marketing dhe Reklamë
të hapet

Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Universitare Private “Luarasi”, për programet e studimit: Bsc “Ekonomiks”; Bsc “Administrim Biznesi”; MP “E Drejtë bankare dhe financiare”; Msc “Menaxhim ekzekutiv” dhe Msc “Bankat dhe tregjet financiare”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.


Z. Emil Lamani; Z. Shyqyri Llaci dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.