Për Programet e Studimit të Ciklit të Tretë që përfundojnë me Doktoraturë (Dr.) në:
1. MENAXHIM
2. FINANCË
3. E DREJTË EUROPIANE E KONTRATAVE
4. PSIKOLOGJI KLINIKE
5. SHKENCA ADMINISTRATIVE
6. MARRËDHËNIE NDËRKOMBËTARE
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit Doktoraturë, të kërkuara nga “Albanian University”, Tiranë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Doktoraturë në “Menaxhim”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
Programi i studimit do duhej të ishte më i detajuar, me objektiva më të qarta e pritshmëri më konkrete.
Përzgjedhja e institucioneve kooperuese nuk është e studiuar dhe në përgjigje të sportit profesional dhe akademik për studentët doktorantë.
Background-i akademik i Këshillit të Profesorëve nuk rrok dhe/apo garanton zotërimin e problematikës së programit të propozuar.
Objektivat për çdo vit të studimeve të Doktoraturës, nuk janë specifike dhe në korrelacion me fushën studimore të propozuar.
Modulet e propozuara për vitin e parë të studimeve kanë nevojë të ri-shikohen, pasi zgjedhja e tyre nuk është shumë e justifikuar.
Përsa i përket personelit akademik, mumri dhe niveli i kërkueseve edhe pse i korrespondon numrit të moduleve të rekomanduara, nuk është i mjafteshëm për të garantuar objektivat e vitit të parë të studimeve.
Stafi akademik i propozuar nuk përputhet plotësisht me fushën akademike që rrok doktoratura.
Kriteret e paraqitura për regjistrimin e studentëve plotësojnë por me disa mangësi kushtet për një program të nivelit ‘doktoraturë’.
Infrastruktura operative dhe kërkimore nuk duket të jetë e mjaftueshme për të garantuar cilësinë e veprimtarive të parashikuara në programin e studimit të këtij niveli.
2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Doktoraturë në “Financë”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet e mëposhtme:
Të zgjerohet Këshilli i Profesorëve dhe të përfshihen më shumë ekonomistë.
Të qartësohen të dhëna për personelin akademik me kontratë që do të angazhohen në këtë program studimit, pasi cënon seriozitetin e një programi studimi kaq të rëndësishëm dhe thellësisht akademik.
Të përfshihen më shumë në të ardhmen kërkues në fushën e Financës (referuar listës së paraqitur), për tu angazhuar në realizimin e plotë të këtij programi.
Të vendosen dhe të përcaktohet domosdoshmërisht kritere të rrepta të pranimit të studentëve, përvec notës mesatare dhe gjuhës së huaj, kujdes të vecantë duhet ti kushtohet analizës së formimit të mëparshëm dhe kurrikulës personale të kandidatit si dhe vlerësimin e projektit të propozuar të kërkimit.
Të vendosen një numër minimal 10-12 i pranimit të studentëve, derisa institucioni të mirëformohet dhe të stabilizohet stafi i brendshëm dhe Këshilli i Profesorëve.
3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Doktoraturë në “E Drejtë Europiane dhe e Kontratave”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet e mëposhtme:
Të jepet më shumë informacion në marrëveshjen bashkëpunuese se ç’programe doktorate ofron universiteti partner (Universiteti i Palermos) dhe pse është përzgjedhur ai.
Këshilli i Profesorëve, të bashkëpunojë me ekspertë të fushës së drejtësisë, sa kohë që nuk ka të tillë në përbërjen e tij.
Numri maksimal (30 studentë) duhet të mbahet mirë parasysh në raport me numrin dhe ekspertizën e stafit akademik të brendëshëm.
4. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Doktoraturë në “Psikologji Klinike”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimin e mëposhtëm:
Të sigurojë stafin e përshtatshëm kombëtar për udhëheqjen e doktorantëve dhe shkollën doktorale në fushën e psikologjisë dhe atë klinike si dhe të garantojë pjesëmarrjen e tyre në këtë program.
5. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Doktoraturë në “Shkenca Administrative”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet e mëposhtme:
Të plotësohet kriteri që 60 % e personelit akademik të jenë të brendshëm.
Meqënëse Keshilli i profesorëve nuk e mbulon fushën përkatëse të studimit, duhet të plotësohet kriteri që për vlerësimin e ecurisë së doktoraturës të bëhet nga një panel i thirrur për këtë qëllim ose nga një komision i posaçëm i ngritur nga Këshilli i Profesorëve).
Të përcaktohen qartë modalitetet për mobilitetin e studentëve gjatë vitit të dytë të studimeve.
6. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Doktoraturë në “Marrëdhënie Ndërkombëtare”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Doktoraturë në Menaxhim
të mos hapet
Programi i Studimit: Doktoraturë në Financë
të hapet
Programi i Studimit: Doktoraturë në E Drejtë Europiane dhe e Kontratave
të hapet
Programi i Studimit: Doktoraturë në Psikologji Klinike
të hapet
Programi i Studimit: Doktoraturë në Shkenca Administrative
të hapet
Programi i Studimit: Doktoraturë në Marrëdhënie Ndërkombëtare
të hapet
Z. Emil Lamani; Z. Shyqyri Llaci dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.