Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 356, datë 13.07.2012, Shkolla e Lartë Private “Universiteti Planetar i Tiranës”

Për akreditimin Institucional dhe Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor në “Teknologji Informacioni”; Bachelor në “Informatikë Ekonomike”; Bachelor në “Sociologji”; Bachelor në “Mësues i Arsimit Fillor”; Bachelor në “Mësues i Arsimit Parashkollor”; Bachelor në “Psikologji” dhe Bachelor në “Infermieri e Përgjithshme”, të Shkollës së Lartë Private “Universiteti Planetar i Tiranës”.

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin Institucional dhe Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor në “Teknologji Informacioni”; Bachelor në “Informatikë Ekonomike”; Bachelor në “Sociologji”; Bachelor në “Mësues i Arsimit Fillor”; Bachelor në “Mësues i Arsimit Parashkollor”; Bachelor në “Psikologji” dhe Bachelor në “Infermieri e Përgjithshme”, të Shkollës së Lartë Private “Universiteti Planetar i Tiranës”, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi Institucioni dhe programet e studimit, i përmbushin objektivat formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim

REKOMANDON:

Për Institucionin Shkolla e Lartë Private “Universiteti Planetar i Tiranës”
 Të rritet numri i personelit ndihmës në lidhje me pengesat administrative të personelit me kohë të pjesshme apo të plotë.
 Të pajiset bibloteka e Institucionit me qëllim për të zgjeruar fushën e skedarëve në dispozicion.
 Të krijohen bashkëpunime në formën e bashkëpunimeve të përhershme me institucione akademike dhe/ose profesionale jashtë vendit.
 Për të lehtësuar akses për të diplomuarit në tregun epunës jashtë vendit si dhe në Shqipëri, Institucioni të bëjë kurse gjuhe duke ofruar një aspekt më të detyrueshëm arsimor.

Për programin e studimit Bachelor në “Teknologji Informacioni”
 Të bëhen më shumë përpjekje për të rritur numrin e studentëve në këtë program studimi.
 Të zgjerohen dhe të institucionalizohen lidhjet me departamentet simotra me jashtë vendit.
 Të nxitet dhe të rritet numri i stafit me grada dhe tituj shkencor.
 Të bëhet më tepër punë për vetkualifikimin e stafit akademik për njohjen e standardeve të arsimit të lartë.
 Të përmirësohet raporti pedagog–staf ndihmës, duke angazhuar me shumë studentë të fushës përkatëse, si të punësuar me kohë të pjesshme.
 Të rritet sasia e librave bashkëkohore në Teknologji Informacioni si dhe e librave elektronike.

Për programin e studimit Bachelor në “Informatikë Ekonomike”
 Të realizohet pasurimi i biblotekës më literaturë, tekste dhe periodikë shkencorë, për programin e studimit Informatikë Ekonomike.
 Të bëhet e mundur pasurimi i faqes së internetit me informacione me të detajuara mbi programet e studimit dhe kurrikulat e SHLP UPT për studentët e interesuar që të aplikojnë për vazhdimin e studimeve të larta në këtë institucion.
 Të përmirësohet raporti pedagog-staf ndihmës.
 Të realizohet kualifikimi i mëtejshëm i stafit akademik në marrjen e gradave shkencore
 Të rishikohet kurrikula për riorganizimin e njësive lëndore në module p.sh IE-SDH-SHI-110 Strukturë të Dhënash të mos jetë bashkë me IE-POO-SHI-112 Programim i orientuar me objekte C++ por me IE-A-SHI 109 – Algoritmikë.
 Të realizohet studimi i tregut bazuar në metoda dhe instrumenta të provuar për të identifikuar pritshmëritë e punëdhënësve për aftësitë që studentët duhet të zotërojnë në përfundim të studimeve në programin e studimit Informatikë Ekonomike. Përshtatja e kurrikulave në harmoni me misionin e institucionit dhe kërkesat e tregut.
 Të krijohen marrëveshje me insititucione të ngjashme brenda dhe jashtë vendit për shkëmbime të ndërsjellta studentësh dhe pedagogësh.
 Të krijohen marrëveshje me Universitete/Qëndra të Kërkimit Shkencor brenda dhe jashtë vendit për rritjen e kërkimit shkencor të stafit akademik.
 Të krijohen mekanizma për nxitjen e përfshirjes së studentëve në mënyrë individuale ose në bashkëpunim me pedagogët në kërkime të mirëfillta shkencore.

Për programin e studimit Bachelor në “Sociologji”
 Të realizohet zgjerimi i ambjenteve.
 Të shikohet mundësia për të krijuar një ambjent të përshatshëm për këshillimin psikologjik dhe të karrierës.
 Të pasurohet bibloteka me literaturë të huaj.
 Të zhvillohen projekte studimore në fushën e studimeve sociale.

Për programin e studimit Bachelor në “Mësues i Arsimit Fillor”
 Disiplinat dhe modulet për gjuhën shqipe dhe fusha të tjera mund të mos jenë të ndara por të ristrukturohen në bazë të konceptit të gjuhësisë së zbatuar, ku ndërthuren tri anë: teoria, ushtrimet dhe mësimdhënia.
 Nëpërmjet planit mësimor, të krijohet një profil më i qartë në përmbajtje për të dalluar Programin e Studimit të Ciklit parashkollor me atë të Ciklit fillor.
 Studentët që zhvillojnë mësim në fundjavë duhet të kalojnë në formën e studimit me kohë të pjesshme.
 Për përmirësimin e komunikimit student - pedagog i jashtëm, Fakulteti i Edukimit dhe i Shkencave Sociale mund të gjejë zgjidhje duke angazhuar pedagogët e ftuar një ditë në muaj për takime që lidhen me programet dhe literaturën e rekomanduar.
 Do të ishte më e frytshme nëse do të bëhej pajtimi vjetor në një nga bibliotekat elektronike të edukimit dhe të shkencave sociale, meqë programet janë të këtyre fushave.

Për programin e studimit Bachelor në “Mësues i Arsimit Parashkollor”
 Të rritet numri i titujve të librave të fushës që mbulon programi i studimit në vlerësim, dhe të përshpejtohet aksesi në bibliotekat on-line të universiteteve ndërkombëtare, me qëllim që të sigurohet kualiteti i detyrave studimore/kërkimore të studenteve të degës.
 Të krijohet laboratori i punës së dorës/artit/edukimit muzikor/edukimit hapësinor/ për të mundësuar në këtë mënyrë realizimin me efektivitet të programeve lëndore përkatëse që janë pjesë e planit mësimor të degës.
 Të zhvillohen studime rigoroze mbi tregun e punës, me qëllim që të raportohet me shifra konkrete dhe jo me ide të përgjithshme.
 Të ndiqet një strategji e identifikimit të nevojave për kualifikimin e personelit dhe mbi bazën e tyre, të hartohen programe specifike për kualifikim e stafit dhe me theks të fort drejt arritjes së standardeve dhe cilësisë.
 Të rivlerësohet mbingarkesa mësimore e studentëve të kësaj dege lidhur me mësimin që zhvillohet në fund të javës, duke marrë në konsideratë efektivitetin në të nxënë.

Për programin e studimit Bachelor në “Psikologji”
 Të pasurohet paketa e instrumenteve të vlerësimit të cilësisë dhe të përmirësohet përmbajtja e e tyre.
 Të zgjerohet bashkëpunimi me institucione jashtë vendit.
 Të shtohet numri i personelit ndihmës.
 Veprimtaria e Zyrës së Karrierës të bëhet më e njohur dhe më e efektshme.
 Të ngrihet një laborator i psikologjisë.

Për programin e studimit Bachelor në “Infermieri e Përgjithshme”
 Të përmirësohet raporti pedagog–staf ndihmës, duke angazhuar më shumë student të fushës përkatëse, si të punësuar me kohë të pjesshme.
 Për përzgjedhjen e kantidatëve për studentë IAL duhet që të realizojë kriteret konform ligjit dhe rregullave të nxjerra nga MASH.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Akreditimin Institucional të Shkollës së Lartë Private “Universiteti Planetar i Tiranës”.

Programi i Studimit: Bachelor në “Teknologji Informacioni”
të akreditohet.

Programi i Studimit: Bachelor në “Informatikë Ekonomike”
të akreditohet.

Programi i Studimit: Bachelor në “Sociologji”
të akreditohet.

Programi i Studimit: Bachelor në “Mësues i Arsimit Fillor”
të akreditohet.

Programi i Studimit: Bachelor në “Mësues i Arsimit Parashkollor”
të akreditohet.

Programi i Studimit: Bachelor në “Psikologji”
të akreditohet.

Programi i Studimit: Bachelor në “Infermieri e Përgjithshme”
të akreditohet.


Z. Emil Lamani; Z. Shyqyri Llaci dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.