Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 358, datë 13.07.2012, Universiteti EPOKA

Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Master i Shkencave në “Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare” dhe Master Profesional në “Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare”, të “Universitetit EPOKA”.

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Master i Shkencave në “Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare” dhe Master Profesional në “Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare”, të “Universitetit EPOKA”, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.

Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi Institucioni dhe programet e studimit, i përmbushin objektivat formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim

REKOMANDON:

Për programet e studimit Master i Shkencave në “Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare” dhe Master Profesional në “Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare”.
 Bilanci financiar dhe burimet e të ardhurave si dhe menaxhimin e tyre, të bashkë shoqërohet me një analizë në detaje të kostove dhe të bashkë shoqërohet me faturat përkatëse.
 Të zgjerohen bashkëpunimet më shumë drejt vendeve perëndimore me qëllim gjetjen e balancave më të mira mes institucioneve homologe të lindjes dhe perëndimit.
 Të jepen temat apo fushat mbi të cilat do të ndërtohen temat e studentëve të nivelit Master.
 Të sigurohet që studentët e këtij programi studimit duhet të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Programi i Studimit: Master i Shkencave në “Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare”
të akreditohet.

Programi i Studimit: Master Profesional në “Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare”
të akreditohet.


Z. Emil Lamani; Z. Shyqyri Llaci dhe Z. Ilir Bozgo nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.