VENDIM
I
I
KËSHILLIT TË AKREDITIMIT
Nr. 361, datë 17.09.2012
Për akreditimin e Programit të Studimit që përfundon me Bachelor në “Mësuesi në Arsimin Fillor”, të Shkollës së Lartë Private “Kristal”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programit të Studimit që përfundon me Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Fillor”, të Shkollës së Lartë Private “Kristal”, të mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programi i studimit, i përmbush objektivat formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim
REKOMANDON:
1. Të pasurohet plani mësimor me disiplina që trajtojnë kërkimin shkencor, punën me fëmijët me nevoja të veçanta dhe integrimin e tyre me fëmijët e tjerë, etj.2. Të plotësohet korniza rregullatore për procedurën e pranimit dhe të diplomimit, për pronësinë intelektuale, për regjistrimin dhe ruajtjen e të dhënave të IAL-së, të studentëve dhe të personelit.
3. Të plotësohet dokumentacioni që orienton zhvillimin e IAL-së dhe të politikave të veçanta të tij si, dokumenti i planit strategjik të zhvillimit, dokumenti i politikës së kërkimit shkencor, dokumenti i politikës së sigurimit të brendshëm të cilësisë, dokumenti i praktikës profesionale, dokumenti i vlerësimit të studentëve.
4. Të ngrihet zyra e këshillimit të karrierës në ndihmë të studentëve me shkëputje nga puna.
5. Të institucionalizohet sistemi i sigurimit të brendshëm të cilësisë që të garantojë monitorimin dhe vlerësimin periodik të cilësisë në IAL.
6. Të përmirësohet regjistrimi i të dhënave dhe statistika e hyrjeve dhe daljeve të studentëve nga universiteti .
7. Të pasurohet faqja e internetit e IAL-së që të informojë dhe të garantojë transparencë për programin e studimit programit “Bachelor në Mësuesi me profil Arsimin Fillor” duke publikuar, planin mësimor, programet e lëndëve, rregulloren e studimeve, politikën e kërkimit shkencor, politikën e praktikës profesionale, politikën e vlerësimit, listën e personelit, temat e mikrotezave dhe listën e udhëheqësve, veprimtaritë shkencore në kuadrin e programit.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Fillor”
të akreditohet.
DREJTORI
AVNI MESHI