VENDIM
I
KËSHILLIT TË AKREDITIMIT
Nr. 364, datë 17.09.2012
Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor në “Drejtësi”; Bachelor në “Ekonomi, me profile: Banka dhe Institucione financiare; Administrim Biznesi; Financë Kontabilitet”; Master Profesional në “Kontabilitet Financë” dhe Master Profesional në “Menaxhim Biznesi”, të “Akademia Profesionale e Biznesit”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor në “Drejtësi”; Bachelor në “Ekonomi, me profile: Banka dhe Institucione financiare; Administrim Biznesi; Financë Kontabilitet”; Master Profesional në “Kontabilitet Financë” dhe Master Profesional në “Menaxhim Biznesi”, të “Akademia Profesionale e Biznesit”, të mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programi i studimit, i përmbush objektivat formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim
REKOMANDON:
Për programin e studimit Bachelor në “Drejtësi”
1. Një numër i kufizuar i fondit të bibliotekës, me 2000 kopje. Nevoja e pasurimit të këtij fondi si dhe nevoja e botimit në periodikë të ndryshëm të drejtësisë.
2. Nevoja e ristrukturimit të Planit mësimor, ku të përcaktohet jo vetëm ngarkesa e studentit në auditor (leksione/seminare) por edhe ajo jashtë auditorit.
3. Të formatizohen syllabuset e të këtij PS, sipas një strukture të caktuar, e cila duhet të përmbajë të gjithë zërat e nevojshëm që ka një syllabus.
Për programin e studimit Bachelor në “Ekonomi, me profile: Banka dhe Institucione financiare; Administrim Biznesi; Financë Kontabilitet”
1. Të merren masa për të ndërtuar terrene të jashtme për qëndrimin dhe pushimin e studentëve.
2. Të bëhet më shumë punë për kërkimin shkencor.
3. Të realizohen botime nga stafi akademik i angazhuar në këtë institucion.
Për programin e studimit Master Profesional në “Kontabilitet Financë”
1. Të kryhen studime më të argumentuara shkencore mbi nevojat e tregut të punës në të ardhmen e afërt në Shqipëri.
2. Të dokumentohet më mirë auditimi i jashtëm financiar lidhur me programin MP në Kontabilitet-Financë.
3. Të raportohen në mënyrë më të detajuar treguesit e efiçencës së shfrytëzimit të fondeve, veçanërisht të përftuara nga tarifat e studentëve në këtë program.
4. Të bashkëpunojë për të vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me institucionet homologe jashtë vendit.
5. Të sigurohet që studentët e këtij programi studimi të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Për programin e studimit Master Profesional në “Menaxhim Biznesi”
1. Të ndërtohen terrene sportive për studentët e këtij programi studimi.
2. Të konsolidohet sistemi i tutoriatit dhe kërkimit shkencor.
3. Të sigurohet që studentët e këtij programi studimi të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në “Drejtësi”
të akreditohet.
Programi i Studimit: Bachelor në “Ekonomi”, me profile:
a. Banka dhe Institucione financiare
b. Administrim Biznesi
c. Financë Kontabilitet
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master Profesional në “Kontabilitet Financë”
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master Profesional në “Menaxhim Biznesi”
të akreditohet.
DREJTORI
AVNI MESHI