Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 367, datë 17.09.2012, Universiteti Privat "Albanian University"

VENDIM
I
KËSHILLIT TË AKREDITIMIT
Nr. 367, datë 17.09.2012


Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave  (M.Sc.) në:
1.    PSIKOLOGJI ZHVILLIMI DHE SHKOLLORE
2.    KËSHILLIM PSIKOLOGJIK

Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1.    PSIKOLOGJI SHKOLLORE
2.    PSIKOLOGJI E BURIMEVE NJERËZORE

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit Master i Shkencave dhe Master Profesional, të kërkuara nga “Albanian University”, Tiranë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Psikologji zhvillimi dhe shkollore”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
  • Të paraqitet argumentimi i përputhjes së misionit të programit me misionin dhe strategjinë e zhvillimit të institucionit.
  • Të paraqitet argumentimi për nevojën që ka tregu i punës për programin e studimit.
  • Të paraqiten në mënyrë të detajuar kompetencat që parashikohen të zhvillohen nëpërmjet këtij programi.  
  • Të plotësohen mungesat në programet mësimore të lëndëve si: Lënda “Dinamikat e zhvillimit konjitiv të fëmijëve dhe adoleshentëve”  me rezultatet e të nxënit, format dhe metodat e mësimdhënies, vlerësimi, literatura; Lënda “Neuropsikologjia e moshës shkollore”, “Antropologji social kulturore”, “Psikologjia sociale e mjediseve shkollore”  me rezultatet e të nxënit.
  • Të përmirësohen programet mësimore vetëm me një sistem i konvertimit të pikëve në nota i cili të jetë i unifikuar me të gjitha lëndët e programit, p.sh në lëndët si “Çrregullimet e të nxënit dhe vështirësitë e integrimit”, “Strategjitë e ndërhyrjes psikologjike dhe pedagogjike në kontekstin shkollor dhe komunitar”, etj.
  • Të plotësohen me literaturë në gjuhën shqipe programet e lëndëve: “Dinamikat e zhvillimit social-emocional të fëmijëve dhe adoleshentëve”; “Metodat e vlerësimit dhe ndërhyrjet në çrregullimet e të nxënit dhe vështirësitë e integrimit” dhe “Psikologjia e sjelljeve devijante te fëmijet dhe adoleshentët”.
  • Të ndahet në literaturë të detyrueshme dhe ndihmëse literatura e programeve të lëndëve: “Dinamikat e zhvillimit social-emocional të fëmijëve dhe adoleshentëve”; “Neuropsikologjia e moshës shkollore”; “Komunikimi klinik me fëmijët dhe adoleshëntët”; “Komunikimi klinik me fëmijët dhe adoleshentët”.
  • Të plotësohet lista e kritereve të pranimit dhe të përfshijë listën e diplomave bachelor  të pranueshme për studimet në këtë progam si dhe mënyrën e plotësimit të debiteve për zotëruesit e diplomave nga fusha të përafrëta me psikologjinë. Të përcaktojë kritere specifike.
  • Të paraqiten CV-të e pedagogëve dhe statusin e tyre të punës në Albanian University.

2.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Këshillim psikologjik”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet e mëposhtme:
  • Të parashikohen në listën e pranimit të studenëtve në këtë program studimi jo vetëm studentët që kanë mbaruar Bachelor në Psikologji por edhe të degëve të përafërta të Shkencave Sociale.
  • Të paraqiten CV-të e pedagogëve dhe statusin e tyre të punës në Albanian University.

3.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Psikologji Shkollore”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
  • Të paraqitet argumentimi i përputhjes së misionit të programit me misionin dhe strategjinë e zhvillimit të institucionit.
  • Të paraqitet argumentimi për nevojën që ka tregu i punës për programin e studimit.
  • Të rishikohet plani mësimor duke e parashikuar ngarkesën me 90 kredite, duke pakësuar numrin e provimeve deri në 10, duke forcuar komponentin e praktikës dhe të kërkimit dhe duke reduktuar numrin e lëndëve të përbashkëta me programin Master i Shkencave në “Psikologji zhvillimi dhe shkollore”.
  • Të plotësohen me elementin rezultatet e të nxënit programet mësimore të lëndëve si: “Vlerësim nevojash dhe modelim trajnimi për sistemet e mbështetjes në shkollë”, “Antropologji social kulturore”, “Psikologji sociale e avancuar”, “Psikologjia sociale e mjediseve shkollore”.  
  • Të përmirësohen programet mësimore vetëm me një sistem i konvertimit të pikëve në nota i cili të jetë i unifikuar me të gjitha lëndët e programit, p.sh në lëndët si: “Hyrje në psikologjinë shkollore”, “Dimensioni sjellor dhe teknika të menaxhimit të sjelljes”, “Vlerësimi dhe këshillimi i fëmijëve dhe adoleshentëve”, Etika profesionale në psikologjinë shkollore”, “Antropologji social kulturore”.
  • Të përmirësohen programet mësimore të lëndëve për komponentin e literaturës si lënda “Dimensioni social-emocional të strategjitë për integrim dhe përshtatje”.
  • Të ndahet në literaturë të detyrueshme dhe ndihmëse literatura e programeve të lëndëve: “Hyrje në psikologji shkollore”, “Dimensioni sjellor dhe teknika të menaxhimit të sjelljes”, “Komunikimi klinik me  fëmijët dhe adoleshentët”.
  • Të plotësohen kritere specifike të cilësisë.
  • Të paraqiten CV-të e pedagogëve dhe statusin e tyre të punës në Albanian University.


4.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Psikologji e burimeve njerëzore”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
  • Të gjitha lëndët mbulohen me pedagogë pa tituj dhe grada shkencore “Doktor”.
  • Koordinatori i programit nuk ka titull shkencor apo gradë shkencore “Doktor” të fituar në perëndim.
  • Personeli i brendshëm akademik i parashikuar për të dhënë mësim në këtë program kryesisht nuk ka titull shkencor apo gradë shkencore “Doktor” të fituar në perëndim.
  • Ndërkohë që personeli akademik i parashikuar me kohë të pjesshme nuk ka as kontrata për mësimdhënie dhe as të dhëna të tjera dokumentare, që nuk garantojnë mësimdhënien e tyre.
  • Asnjë nga CV-të e paraqitura të stafit akademik nuk është parashikuar në planin mësimor të japë mësim në këtë program studimi.
  • Plani mësimor është i plotë por jo i qartë me paraqitjen e semestrave dhe moduleve. Janë paraqitur dy plane mësimore me konflikte të kësaj natyre në katër lëndë: Çështje në psikologjinë e punës (ndryshojnë kreditet dhe semestri), Sjellje konsumatore (ndryshojnë kreditet dhe semestri), Aftësi drejtuese (ndryshojnë kreditit), Analizë dhe përshkrim pune (ndryshojnë kreditet dhe semestri)
  • Literatura që shoqëron çdo syllabus kryesisht është në gjuhë të huaj dhe në shumicën e rasteve mungon ajo në shqip.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:


Programi i Studimit:            Master i Shkencave në Këshillim Psikologjik
                të hapet

Programi i Studimit:    Master Profesional në Psikologji e burimeve njerëzore
                të mos hapet

Institucioni aplikues “Albanian University”,  për programet e studimit: Master i Shkencave në “Psikologji zhvillimi dhe shkollore” dhe  Master Profesional në “Psikologji Shkollore”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.

DREJTORI
AVNI MESHI