Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 377, datë 17.09.2012, Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan

VENDIM
I
KËSHILLIT TË AKREDITIMIT
Nr. 377, datë 17.09.2012


Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1.    MËSUESI PËR LËNDËN EDUKIM FIZIK DHE SPORTE, me profil:
a.    Edukim shëndetësor
2.    TEKNOLOGJI INFORMACIONI

Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1.    KONTABILITET DHE AUDITIM

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit Master Profesional dhe Master i Shkencave, të kërkuara nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Mësuesi për lëndën Edukim Fizik dhe sporte, me profil: Edukim shëndetësor”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
  • Të paraqiten marrëveshjet e bashkëpunimit me Fakultetin e Infermierisë së Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.
  • Të përputhen lëndët që do të zhvillohen në këtë program me formimin e studentëve që do të vazhdojnë këtë program studimi për edukimin shëndetësor.
  • Të plotësohet lista e pedagogëve që do të angazhohen në këtë program studimi me formim mjekësor.

2.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Teknologji Informacioni”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet e mëposhtme:
  • Të synohet realizimi i këtij programi me formën e studimit me kohë të plotë pasi ajo me formë të pjesshme nuk është e përshtatshme për vetë natyrën e këtij programi. Forma me kohë të pjesshme nëse do të aplikohet duhet të zgjasë sa dyfishi i asaj me kohë të plotë, pra 2 vjet.
  • Të plotësohet studimi mbi vlerësimin e nevojave të tregut.
  • Të paraqiten marrëveshjet e bashkëpunimeve të deklaruara në këtë program studimi.
  • Të rregullohet raporti ndërmjet ngarkesës mësimore në auditor dhe asaj jashtë auditorit, për ato lëndë ku rezulton se ngarkesa në auditor është më e madhe se ajo për punë të pavarur.
  • Të plotësohen të gjitha lëndët/modulet me zgjedhje me emrin e pedagogut përkatës.
  • Të shtohet në listën e diplomave Bachelor që lejohen të regjistrohen në këtë program studimi edhe diploma Bachelor në “Gjeoinformatikë” që jepet në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave të UPT-së.
  • Të plotësohen të dhënat për aktorët, subjektet, institucionet apo sipërmarrjet si dhe detyrimet reciproke për realizimin e praktikave profesionale.
  • Të përmirësohet raporti personel akademik efektiv dhe personel akademik me kontratë, pasi nuk është në përputhje me kriteret përkatëse.
  • Të shikohet mundësia që çdo pedagog (PAK) titullar lënde të ketë një bashkëpunëtor nga Universiteti i Elbasanit gjë që do të ndihmonte si në kualifikimin e personelit të brendshëm të këtij universiteti ashtu edhe në përballimin e mungesave të paparashikuara.
  • Të nënshkruhen syllabuset e të gjitha lëndëve/moduleve nga pedagogët përgjegjës.
  • Të hiqet termi “dekanat” në Rregulloren e Programit të studimit, pasi një term i tillë nuk ekziston në aktet ligjore e nënligjore në fuqi.

3.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Kontabilitet dhe Auditim”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
  • Nisur nga misioni dhe objektivat e këtij programi studimi të ballafaquar edhe me planin mësimor të propozuar, mendojmë se me listën e lëndëve/moduleve të propozuara, emërtimi do të ishte më i përshtatshëm të quhej “Master profesional” se sa “Master i Shkencës”. Struktura dhe programet e lëndëve, i japin studentit një formim të integruar dhe bashkëkohor por më shumë në aspektin profesional se sa shkencor. Për master të shkencës, duhej të ishte menduar për përfshirjen edhe të disiplinave të tjera sidomos të fushës financiare të nevojshme për kompletimin më të mirë të specialistëve të ardhshëm. Po të përjashtojmë “Drejtimin financiar Ndërkombëtar” që nuk është shumë i domosdoshëm për masterin profesional, nuk ka asnjë lëndë financiare. Sigurisht, nëse do të ndryshohej emërtimi duhen kryer edhe rregullime e përshtatje të tjera që nga afati i studimit, numri i krediteve etj.
  • Struktura e programit jep më shumë mundësi për aftësimin praktik se sa për studim të pavarur, reflektim e analizë nga ana e studentit (për konkretizim mjafton të shihet psh, programi i “Aplikime të programeve kompiuterike” që shtjellon ndër të tjera faturat e blerjes dhe të shitjes, magazinat, fletë doganimet, borderotë etj.
  • Aktualisht, institucioni nuk mund t’a përballojë realizimin e një masteri të shkencës për shkak të numrit të kufizuar të pedagogëve me tituj e grada shkencore (shumica e pedagogëve që parashikohen të aktivizohen janë me Msc ose “të rregjistruar në program doktorature”) dhe aq më pak është e mundur kjo me pedagogë që nuk kanë as Msc por janë vetëm ekspertë kontabël!.
  • Ka formalizem në paraqitjen e programeve në pjesën e sistemit të vlerësimit që duket në strukturën standarte të elementëve të vlerësimit dhe në peshën e secilit në vlerësimin vjetor. Format e vlerësimit dhe detyrimet e studentit kanë nevojë të riformulohen në përshtatje me veçoritë e secilës lëndë/modul.
  • Për literaturën e rekomanduar në syllabuset konstatojmë se në përgjithësi ajo është e përshtatshme, bashkëkohore dhe e mundshme për të siguruar. Por, vërejmë se në disa lëndë mungon literatura në gjuhë të huaj si psh: Kontabiliteti Publik, Legjislacioni fiskal, Kontabiliteti dhe auditimi bankar (një që është parashikuar – “The Guide to understanding the Insurance Industry” nuk ka lidhje me këtë lëndë), Kontabiliteti i OJF-ve; në lëndë të tjera, nuk ka literaturë bazë në gjuhën shqipe (Sistemet e informacionitt kontabël, “Metodat e kërkimit – metoda cilësore”, “Metodat e kërkimit – metodat sasiore”, “Drejtimi i likuiditeteve”; Ka lëndë fare pa literaturë bazë si psh, në Aplikime të programeve kompjuterike në kontabilitet; Në ndonjë lëndë, si literaturë vihet “materiale të përgatitur nga auditi i brendshëm” pa emër autori.
  • Nuk ka asnjë të dhënë për pajisjet dhe mjediset për të vlerësuar nëse janë ose jo të përshtatshme për mësimdhënie në përputhje me qëllimin e programit të studimit.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Programi i Studimit:    Master Profesional në Teknologji Informacioni
        të hapet

Programi i Studimit:    Master i Shkencave në Kontabilitet dhe Auditim
        të mos hapet

Institucioni aplikues Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, për programin e studimit Master Profesional në “Mësuesi për lëndën Edukim Fizik dhe sporte, me profil: Edukim shëndetësor”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.

DREJTORI
AVNI MESHI