KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 384, datë 26.10.2012
Për Programin e Studimit të Ciklit të Parë që përfundon me Bachelor (B.Sc.) në:
1. MULTIMEDIA DHE TELEVIZION DIXHITAL
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programit të ri të studimit Bachelor në “Multimedia dhe Televizion dixhital”, të kërkuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Multimedia dhe Televizion dixhital”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet e mëposhtme:
- Të parashikohen marrëveshje bashkëpunimi me Institucione homologe apo me institucione mediatike.
- Të paraqitet në planin mësimor ngarkesa mësimore e ndarë sipas formave të mësimdhënies.
- Të rregullohen mospërputhjet për lëndët si ”Fizikë”; ”Anglisht 3” dhe ”Praktikë profesionale”.
- Të bëhet përpjekje për pasurimin e bibliografisë së dhënë në programet e lëndëve.
- Të paraqiten të dhëna për personelin ndihmës mësimor shkencor dhe administrativ të nevojshëm dhe të përshtatshëm për të ofruar në mënyrë cilësore realizimin e orëve laboratorike dhe për mirëmbajtjen e laboratorëve.
- Të sillen të dhëna për instruktimin, udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e studentëve në praktikën profesionale.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor Multimedia dhe Televizion dixhital
të hapet
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT