KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 428, datë 11.01.2013
Për akreditimin e Programit të Studimit që përfundon me Bachelor në “Mësues i Ciklit të Ulët” dhe Bachelor në “Infermieri” të Institucionit të Arsimit të Lartë Privat “Shkolla e Lartë Nëna Mbretëreshë Geraldine”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programit të Studimit që përfundon me Bachelor në “Mësues i Ciklit të Ulët” dhe Bachelor në “Infermieri”, të Institucionit të Arsimit të Lartë Privat “Shkolla e Lartë Nëna Mbretëreshë Geraldine”, të mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, vendos kushte, të cilat duhet të plotësohen për një periudhë njëvjeçare dhe më pas do t’i nënshtrohen vlerësimit të jashtëm për t’i plotësuar ato në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se programet e studimit kanë mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim vendos
KUSHTE:
Për programin e studimit Bachelor në “Mësues i Ciklit të Ulët”
· Të plotësojë të dhënat e munguara në dokumentacionet përkatëse, si më poshtë dhe që që secili nga programet e studimit të ketë rregullore të posaçme.
· T`i kushtohet vëmendje përmbushjes së objektivit kryesor të Institucionit.
· Të përmbushin kërkesat e përgjithshme dhe specifike për formimin e studentëve rreth asaj se çfarë do të jenë të aftë të bëjnë ata në përfundim të programit për të qënë të suksesshëm në profesionin për të cilin diplomohen.
· Të saktësohet pozicioni dhe roli i dy departamenteve të Fakultetit të Mësuesisë në raport me administrimin e programit të studimit “Bsc Mësues për ciklin e ulët”.
· Të rishikohet emërtimi i diplomës përkatëse në termat e udhëzimit të MASH-së dhe njohjes nga tregu i punës.
· Plani mësimor të përplotësohet teknikisht me elementë të domosdoshëm që e bëjnë atë të qartë edhe nga pikëpamja funksionale.
· Të rishikohet raporti orë në auditor me orë jashtë auditorit për lëndë të veçanta të planit mësimor.
· Të zbatohet me përpikmëri udhëzimi i MASH-së, lidhur me numrin minimal të krediteve për një lëndë, jo më pak se 3 kredite, lëndët të kenë karakter modular.
· Të harmonizohet kategorizimi i lëndëve në plan me deklarimin formal nga institucioni, duke shmangur mospërputhjet mes deklarimit formal për të dhënat e kursit të studimit “Mësues për ciklin e ulët”.
· Të konsiderohen në planin mësimor lëndët me zgjedhje, të cilat mungojnë, dhe t’u krijohen studentëve mundësi më të mëdha për studime shtesë dhe punësim.
· Programet lëndore të kalojnë në procedura diskutimi për nivelin dhe përmbajtjen e tyre përpara se të vihen në zbatim.
· Të standardizohet formati i programeve lëndore dhe syllabuset e lëndëve/moduleve.
· Të krijohet mbështetje e nevojshme për kualifikim të personelit.
· Të punohet seriozisht për të siguruar standardin për mbulimin e lëndëve, (veçanërisht leksioneve) me personel të kualifikuar me të paktën gradën “Doktor”.
· Të evidentohet në planin mësimor “puna praktike/laboratorike” si formë e mësimdhënies që praktikisht ushtrohet përkrahë formave të tjera: leksione dhe seminare.
· Të përfshihen domosdoshmërisht tekste bazë dhe literaturë ndihmëse, me qëllim që të zgjerojnë mundësitë e studentit në kërkim të dijes dhe të inkurajojnë ata që marrin përsipër përgjegjësinë për të nxënit e tyre.
· Të përgatitet një udhëzues për praktikën shkollore që orienton studentët, mentorët dhe turorët me qëllimet e praktikës në faza të ndryshme, si dhe siguron detyra dhe lista kontrolli për vlerësimin e aftësive dhe kompetencave profesionale.
· Të përgatitet Rregullorja e Veprimtarisë/Funksionimit të QKZH-së ku të parashikohen procedura të qarta për mbrojtjen e punës intelektuale, transferimin e dijeve, mbështetjen, nxitjen dhe shpërblimin e kërkuesve të suksesshëm.
· Të inkurajohet kërkimi i përbashkët ndër-universitar për probleme të ngjashme që shqetësojnë vendin tonë ose rajonin e gjërë.
· Institucioni të bëjë kujdes me plotësimin me përgjegjësi të dokumentacionit të dosjes së studentëve që kanë transferuar studimet në universitete të tjera, duke siguruar edhe konfirmimin përkatës nga universiteti pritës.
· Institucioni të angazhohet për të rritur elementet e sigurisë në regjistrin themeltar të notave, si p.sh., vendosja e një vije të kuqe që shënon fundin e numrit të studentëve të regjistruar sipas vitit akademik të caktuar.
· Të përmirësohet sistemi i ngrohjes për të siguruar konfortin e nevojshëm për studentët.
· Të rritet fondi i librave të bibliotekës, duke përfshirë edhe fondin e librave on-line, si dhe të përmirësohet hapësira e brendshme e saj, duke synuar rritjen e kapaciteteve për shfrytëzim/frekuentim nga ana e studentëve dhe stafit.
· Institucioni të zgjerojë marrëdhëniet bashkëpunuese me një numër më të madh institucionesh homolege brenda dhe jashtë vendit.
· Të ngrihet struktura për sigurimin e cilësisë së brendshme të institucionit, e cila ndjek një politikë të caktuar, ka strategji të qarta, procedura standarde dhe instrumentet e duhura për monitorimin, ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë.
· Institucioni të adaptojë një model të standardizuar të raportimit të rezultateve të procesit të vetëvlerësimit institucional dhe akademik dhe të dëshmojë përpjekjen e vazhdueshme për të përmirësuar cilësinë dhe arritur standardet e dëshiruara.
Për programin e studimit Bachelor në “Infermieri”
· Institucioni të përqendrohet më shumë në rritjen e nivelit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.
· Personeli akademik me kohë të plotë të jetë me grada dhe tituj shkencorë. Të ketë politika mbështetëse për personelin akademik dhe studentët me rezultate të larta.
· Të rritet niveli i bashkëpunimit me grupet e interesit në sektorin shëndetësor publik dhe privat.
· Të krijohen lidhje drejtpërdrejta bashkëpunimi me universitete dhe Institucione të ngjashme brenda dhe jashtë vendit.
· Të pasurohen laboratoret, bibloteka, sekretaria mësimore me mjetet e nevojshme didaktike për zhvillimin cilësor të aktivitetit mësimor e shkencor nga personeli akademik dhe ai mbështetës.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
“Shkolla e Lartë Private Nëna Mbretëreshë Geraldinë” për programet e studimit Bachelor në “Mësues i Ciklit të Ulët dhe Bachelor në “Infermieri”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këto programe studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e jashtëm të programeve të mësipërme.
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT