KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 447, datë 03.05.2013
Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc.) në:
1. EKONOMIST I PËRGJITHSHËM ME ORIENTIM, KULTURË, ARSIM, SHKENCË
2. INFERMIER I PËRGJITHSHËM ME ORIENTIM PËR SHKOLLAT
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
- STUDIME TË THELLUARA PEDAGOGJIKE
- STUDIME TË THELLUARA NË PEDAGOGJINË SPECIALE
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Ekonomist i përgjithshëm me orientim kulturë, arsim, shkencë”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§ Të reflektojë në planin mësimor ndryshimet në tipet e veprimtarisë për disa module: moduli “Bazat e kontabilitetit” nga disiplina të ngjashme të kaloj tek disiplina karakterizuese; modulet “Anglisht” dhe “Informatikë” nga disiplina të formimit të përgjithshëm të kalojnë tek grupimi Njohuri të tjera formuese; moduli Pedagogji-sociologji të kaloj tek disiplinat karakterizuese.
§ Të rishikohet shpërndarja e ECTS-ve duke marrë në konsideratë formimin që jep secili modul, shkallën e vështirësisë që paraqet përvetësimi i tyre, disiplinën ku klasifikohet, si p.sh lënda Pedagogji- Sociologji e cila ka 8 ECTS, të ndahet në 2 module me nga 6 ECTS secila dhe të ulen ngarkesa në ECTS e lëndës “Metoda Kërkimi” në 6 ECTS dhe “Gjuhë Shqipe” në 6 ECTS.
§ Të plotësojë kriterin minimal për titullarët e moduleve (të paktën gradën doktor ose docent), të paktën të rishikohet kjo për pedagogët me kohë të pjesëshme.
§ Të përputhet kualifikimi/eksperienca e stafit me kohë të pjesshme me modulet që ata do të mbulojnë.
§ IAL të shoh mundësinë e rritjes së numrit të moduleve me zgjedhje që do të mundësonin orientimin e arsimit si p.sh Histori ekonomie, Gjeografi Ekonomike, Psikologji, Histori mendimi, Histori për sistemet e qeverisjes, Marrëdhënie ndërkombëtare.
2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Infermier i përgjithshëm me orientim për shkollat”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar: Te rishikohet mundësia për formatim me lëndë të karakterit klinik të përgjithshëm si sëmundjet interne dhe infektive, të cilat janë aktualisht në kurrikul, por duhen formatuar në mënyrë më efikase.
3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Studime të thelluara pedagogjike”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtin e mëposhtëm, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilit jep vlerësim përfundimtar: Të rregullohet mesimdhënia nga pedagogë të cilët i plotësojnë të gjitha kriteret e mësimdhënies për nivelin Master Shkencor në Studime të Thelluara Pedagogjike.
4. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Studime të thelluara në pedagogjinë speciale”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
- Të rishikohet stafi i punësuar, ku të jetë vetëm personel me gradën shkencore kualifikuese për këtë program studimi.
- T’i kushtohet një vëmëndje më e madhe dhe aktorëve me të cilët kjo IAL ka bashkëpunim në lidhje me praktikën që do të zhvillojnë studentët.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Institucioni aplikues “Akademia Pedagogjike e Tiranës”, për programet e studimit: Bachelor në “Ekonomist i përgjithshëm me orientim kulturë, arsim, shkencë”; Bachelor në “Infermier i përgjithshëm me orientim për shkollat”; Master i Shkencave në “Studime të thelluara pedagogjike” dhe Master i Shkencave në “Studime të thelluara në pedagogjinë speciale”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT